Kryetarja e organizatës “Gratë Për Vetëvendosje”, njëherësh ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje si partinë më demokratike në Kosovë, ndërsa thotë se ky subjekt angazhohet më së shumti për gratë në vend, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur në konferencën e organizuar të mërkurën, teksa Haxhiu dha një kronologji të aktiviteteve që kanë mbajtur në muajin shkurt me gratë.
Ajo tha se synimi i këtyre aktiviteteve është që të arrihet barazia dhe drejtësia.
“E kemi më të lehtë sepse Kosova e ka një qeverisje progresive që po angazhohet për të drejtat e grave, siç është e drejta në trashëgimi, pronë, punësim, bursa dhe në adresimin e dhunës në familje. Ne si gra jemi bashkë dhe bashkë do të adresojmë problemet e grave në Kosovë. I bëj thirrje vajzave të na bashkohen në rrugëtimin tonë për barazi gjinore dhe drejtësi”, tha ajo.
Ndonëse janë në Qeveri, ministrja e Drejtësisë thotë se nuk do t’i ndalin aksionet në mbrojtje të grave. Me këtë rast, tha se VV-ja angazhohet më shumë në mbrojtje të tyre.
“Ne pavarësisht që jemi në qeveri nuk i kemi ndal aksionet. Siç e dini gjendja e grave ne Kosovë nuk është e mirë, prandaj edhe na duhet punë më e madhe në këtë drejtim. LVV-ja është subjekti më demokratik dhe më i hapur për të gjithë. Prandaj ftesa vlen edhe për anëtaret e tjera të partive. Nuk ka subjekt politik sikur se VV-ja që angazhohet për gratë”, tha ajo.
E aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rina Zhitia, tha se me ardhjen e pranverës, vjen sipas saj, edhe barazia te gratë.
“Organizata ‘Gratë Për Vetëvendosje’ fillon sot muajin e gruas që për qëllim ka njohjen e angazhimit dhe kontributit të grave për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Do të ketë aktivitete të ndryshme që do të shtrojnë diskutimin mbi çështje gjinore. Si gra duhet të bashkohemi e të angazhohemi. Marsi sjellë pranverën, gratë sjellë barazinë”, tha ajo.