Shumë nga verat e adoleshencës së Hayley Kiyoko-s kaluan duke pritur para kompjuterit, duke shpresuar që vajza që i pëlqente t’i kthente mesazh në AOL Instant Messenger.
Në shumë mënyra, përvoja e saj ngjan me atë të Coley-t, protagonistes 17-vjeçare të filmit “Girls Like Girls”, të cilin Kiyoko e ka bashkëshkruar dhe drejtuar.
Këngëtarja kujton se në adoleshencë ishte dashuruar fort me një vajzë që “ma theu zemrën dhe më përndoqi emocionalisht për një kohë të gjatë”.
Sot, në moshën 35-vjeçare, Kiyoko njihet prej vitesh nga fansat me nofkën “Lesbian Jesus”, por rruga drejt pranimit të seksualitetit të saj nuk ishte aq e thjeshtë sa mund të duket nga jashtë.

Kënga “Girls Like Girls”, e publikuar në vitin 2015, ishte momenti që ndryshoi gjithçka për të.
Megjithatë, Kiyoko tregon se në atë kohë identiteti i saj si grua gay ishte pikërisht tema për të cilën kishte më shumë frikë të shkruante.
Refreni i drejtpërdrejtë i këngës – se vajzat mund t’i duan vajzat po aq natyrshëm sa djemtë – lindi nga dëshira e saj për ta bindur edhe veten se mund të ndihej e sigurt me atë që ishte.
“Kur publikova ‘Girls Like Girls’, jo vetëm këngën por edhe videoklipin, dhe pashë se kaq shumë njerëz në botë ndiheshin si unë, kuptova se mund të më donin për atë që isha. Kjo më ndihmoi shumë ta lejoja veten ta ndieja atë lloj dashurie”, thotë ajo.
Pas videoklipit, ku dy vajza adoleshente zhvillojnë ndjenja romantike për njëra-tjetrën, Kiyoko mbeti e fiksuar pas idesë që këtë histori ta zgjeronte në një film të gjatë.
Një rrugë që zgjati më shumë se një dekadë
U deshën mbi dhjetë vjet që kjo të bëhej realitet.
Në ndërkohë, historia mori një formë tjetër në vitin 2023, kur Kiyoko publikoi romanin për të rinj “Girls Like Girls”, një hap që më pas ndihmoi që filmi të merrte dritën jeshile.
Sipas saj, filmi është “patjetër një letër dashurie për veten time 16-17-vjeçare, që kërkonte me dëshpërim një dashuri të tillë”.
Kiyoko foli për projektin nga Bangkok, ku po festonte premierën e filmit në Tajlandë dhe ku, për herë të parë, po takohej edhe me fansat e saj tajlandezë.
Shfaqja në Bangkok kishte një rëndësi të veçantë sepse Myra Molloy, e cila interpreton Sonya-n, dashurinë e Coley-t, vjen pikërisht nga kryeqyteti tajlandez.
Ndërsa Maya da Costa, aktorja kanadeze që luan Coley-n, ka prejardhje vietnameze.
Për Kiyoko-n ishte shumë e rëndësishme që filmi të mos ishte vetëm një histori dashurie queer, por të pasqyronte edhe identitetin e saj aziatik.
“Kur rritesha në Los Angeles, nuk mund të blija një biletë kinemaje dhe të shihja veten të pasqyruar në ekran, as si person queer, as si person me prejardhje të përzier aziatike”, thotë ajo.

“Nuk besoja se historitë e mia kishin vërtet rëndësi, sepse nuk i shihja kurrë.”
Nga Disney te muzika dhe më pas te regjia
E lindur me emrin Hayley Kiyoko Alcroft, artistja u rrit pranë botës së spektaklit.
Babai i saj, Jamie Alcroft, është aktor dhe komedian, ndërsa nëna, Sarah Kawahara, është patinatore artistike dhe koreografe fituese e çmimit Emmy.
Kiyoko nisi të performonte që në moshën pesëvjeçare, fillimisht në reklama, e më vonë në prodhime të Disney Channel dhe Nickelodeon.
Në moshën gjashtëvjeçare filloi të mësonte baterinë, ndërsa këngën e parë e shkroi vetëm dy vite më vonë.
Në fund të adoleshencës u bë pjesë e grupit femëror The Stunners, i cili në vitin 2010 shoqëroi Justin Bieber në turne, por u shpërbë një vit më pas pa publikuar album.
Karriera solo e Kiyoko-s mori hov me “Girls Like Girls”, që u publikua vetëm pak ditë para legalizimit federal të martesave mes personave të së njëjtës gjini në SHBA, në qershor të vitit 2015.
Në atë kohë, kënga dukej si himni ideal për një periudhë optimizmi dhe progresi për komunitetin LGBTQ+.
“Sot klima është shumë më e frikshme”
Kiyoko thotë se klima aktuale politike në SHBA është shumë më e rëndë.
Ajo e përshkruan situatën si “zemërthyese”, megjithëse thekson se nuk pretendon të jetë zëdhënëse për gjithçka që po ndodh.
“Komuniteti ynë nuk ndihet i sigurt dhe ne vazhdimisht po luftojmë që eventet dhe festivalet Pride të vazhdojnë të financohen”, thotë ajo.

Duke reflektuar mbi videoklipin e saj të vitit 2016, “One Bad Night”, ku trajtonte dhunën ndaj grave transgjinore, Kiyoko thotë se sot do ta qaste ndryshe.
Ajo vazhdon të besojë se është shumë e rëndësishme që historitë e personave trans të marrin vëmendje, por sot mendon se arti queer duhet të fokusohet më shumë edhe te gëzimi, fuqia dhe hapësirat ku njerëzit queer lulëzojnë.
“Sa radikale është që, pikërisht tani, në këtë klimë politike kaq të rëndë, ne mund të publikojmë në kinema një film që quhet ‘Girls Like Girls’ dhe t’i kujtojmë botës se historitë tona dhe dashuria jonë kanë rëndësi dhe se ne nuk do të zhdukemi?”
Një histori që zgjedh shpresën
Çifti në qendër të filmit përballet edhe me vështirësi.
Në një moment, Sonya e quan lidhjen me Coley-n “të gabuar”, por në pjesën më të madhe filmi është ndërtuar si një portret pozitiv i vetëzbulimit dhe pranimit.
Veçanërisht e rëndësishme është mënyra se si babai i Coley-t e pranon atë pa dramë dhe pa bujë.
Kiyoko ka treguar më herët se prindërit e saj fillimisht e kishin konsideruar seksualitetin e saj si “një fazë”.
Por ajo thekson se çdo familje ka dinamikën e vet dhe se ishte e rëndësishme që filmi të tregonte edhe një figurë atërore mbështetëse.
“Ne shkojmë në kinema për të ëndërruar, për të fantazuar dhe për të parë përfaqësim që ndoshta na mungon në jetën tonë.”
Dashuria reale përkrah historisë së vjetër
Për Kiyoko-n, promovimi i “Girls Like Girls” ka qenë edhe një përvojë personale shëruese.
Vetëm pak muaj më parë ajo u fejua me partneren e saj, Becca Tilley, ish-konkurrente e “The Bachelor”.
Të dyja u njohën në vitin 2018, kur Tilley fillimisht kishte menduar ta prezantonte Kiyoko-n me motrën e saj më të vogël.
Por motra u tërhoq dhe Becca shkoi vetë në takim.
“Dhe që atëherë jemi bashkë”, thotë Kiyoko.
Planet për martesë janë momentalisht në pritje, sepse, siç thotë ajo, “kam qenë plotësisht në universin e ‘Girls Like Girls’”.
Megjithatë, shpreson që së shpejti të mund të merren seriozisht edhe me organizimin e dasmës.
Nga muzika drejt një të ardhmeje si regjisore
Karriera e Kiyoko-s duket se po hyn në një fazë të re.
Ajo do të jetë emri kryesor i edicionit të 35-të të festivalit të njohur të muzikës lezbike The Dinah, diçka për të cilën thotë se është veçanërisht e emocionuar në një kohë kur hapësirat e dedikuara për gratë lezbike po bëhen gjithnjë e më të rralla.
Më pas dëshiron të vazhdojë të zhvillohet si regjisore dhe të marrë më shumë projekte në film dhe televizion.
“Muzika gjithmonë do ta mbështesë mënyrën time të tregimit të historive”, thotë ajo.
Por për momentin, nuk është e sigurt nëse do të vazhdojë të publikojë albume të reja apo të bëjë turne.
Ndërsa filmi i saj i parë po gjen audiencë në mbarë botën, lind natyrshëm pyetja: çfarë ndodhi me “Sonya-n” e saj të vërtetë, vajzën që i theu zemrën kur ishte adoleshente?
Kiyoko nuk e di.
Por sot e sheh atë dhimbje ndryshe.
“Jam mirënjohëse për traumën, sepse më çoi deri te debutimi im si regjisore”, thotë me buzëqeshje.
“Mendoj se më në fund e kam gjetur shtëpinë time, dhe ajo është regjia. Shpresoj të vazhdoj ta bëj këtë përgjithmonë.”
“Girls Like Girls” është në kinema nga 2 tetori. /GazetaExpress/