Eden Hazard ka nisur sezonin e tij të tretë me fanellën e Real Madridit, ku u transferua për më shumë se 100 milionë euro verën e 2019-ës, megjithatë përshtatja e tij në kryeqytetin spanjoll nuk ka qenë aspak në nivelet e pritshmërisë.
Dëmtimet e shpeshta nuk e kanë lënë belgun të tregojë veten në fushë dhe shpesh edhe kur ka qenë i disponueshëm, nuk është preferuar në formacion nga trajnerët, ndaj jo më kot numëron vetëm 52 ndeshje të luajtura, shumicën e të cilave duke ardhur nga pankina.
Në madrid janë të gjithë të zhgënjyer nga ylli belg, i cili tashmë ka filluar të mendojë për të lënë sa më shpejt Realin, pasi dëshiron të rikthehet në formën më të mirë, duke qenë se viti i ardhshëm është ai i Botërorit, trofe të cilin do të ketë shansin e fundit ta fitojë me Belgjikën.
Mediat spanjolle raportojnë se Hazard u ka kërkuar drejtuesve të Realit që të rikthehet sërish në Premier League, kampionat ku ka spikatur me fanellën e Chelsea-t dhe janë pikërisht blutë e Londrës ata që do të provojnë ta marrin në huazim në muajin janar.
Për Hazard ka shfaqur interes edhe Newcastle, që i garanton një vend si titullar i padiskutueshëm në formacion, megjithatë ylli belg dëshiron të shkojë në një klub ku të mund të luajë edhe për objektiva madhorë, jo për mbijetesën, që kanë synim “Magpies” këtë sezon.