Futbollisti ofensiv belg Eden Hazard e pranon se stinori i tij i parë te Real Madridi nuk ka qenë i mirë.
Hazard u transferua te Reali nga Chelsea verën e vitit të kaluar për 100 milionë euro, shifër që mund të rritet deri në 150 milionë. Mirëpo, belgu ka pasur një periudhë të vështirë në Spanjë, duke pësuar lëndime rresht.
Po ashtu ishte vënë në diskutim përgatitja fizike e tij pasi ai iu bashkua klubit madrilen në fazën parasezonale në mbipeshë.
“Stinori im i parë te Real Madridi është i keq, por jo çdo gjë ishte e keqe. Është një stinor adaptimi. Do të gjykohem në stinorin e dytë. Mbetet tek unë që të jem në formë të mirë vitin e ardhshëm. Grupi është i mirë, kam takuar njerëz të ri. Për mua është përvojë e madhe. Ende kam edhe katër vjet kontratë, shpresoj të jem në formë të mirë”, ka thënë Hazard për “RTBF”, transmeton Koha.net.
Hazard 29-vjeçar ka shënuar një gol dhe asistuar pesë tjerë në 15 ndeshje në stinorin 2019-20. Momentalisht futbolli në Spanjë është i pezulluar shkaku i koronavirusit dhe Hazard është në izolim.
“Unë nuk po them se nuk do të infektohem, por jam në shtëpi, asnjëri nuk po vjen, nuk po takohemi me njeri. Jam pak i frikësuar, si gjithë tjerët, por veçanërisht duhet të jem i kujdesshëm të mos e bart te tjerët, kjo është gjëja më delikate. Duhet të kujdesemi për veten. Unë jam i shqetësuar për njerëzit më të dobët, që kanë më tepër probleme”, ka thënë Hazard.