Eden Hazard pretendon se Mariano Diaz ishte udhëzuar ta lirojë fanellën me numër shtatë, kur sulmuesi belg e siguroi transferimin nga Chelsea në Real Madrid gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar.
Ylli holandez e la Chelsea dhe iu bashkua Real Madridit për 89 milionë funte më 7 qershor, duke i dhënë fund një periudhë shtatëvjeçare të suksesshme në Premierligë, transmeton Gazeta Express.
29-vjeçari kishte qenë për një kohë të gjatë në radarin e Zinedine Zidane, përderisa spekulimet për të ardhmen e tij shpeshherë i kishin lënë nën hije paraqitjet e tij për Chelsean gjatë kohës së fundit para transferimit.
Hazardi fillimisht u besua se do të ishte zëvendësuesi i Cristiano Ronaldos dhe iu dha fanella me numër shtatë në Real Madrid, të cilën në atë kohë e kishte mbajtur Mariano Diaz.
“Fanella ishte fillimisht e Marianos. Unë nuk doja të shkoj t’ia kërkoj. Nuk është në stilin tim. Unë e dija se numri 10 i takonte Modricit”, ka thënë Hazard.
“Në Chelsea, unë e pata marrë numrin 17. Lucas Vazquez e kishte në Real Madrid. Unë isha i lirë ta merrja fanellën me numër 16, por nuk e doja”.
“I thashë klubit të ma jepte fanellën me numër 50, ndërsa klubi i tha Marianos “Duhet t’ia japësh Edenit fanellën me numër shtatë”. Kjo pasi që në La Liga s’të lejohet të shkosh mbi numrin 25”.
Hazardi ka arritur t’i bëjë vetëm 13 paraqitje për Real Madridin këtë sezon, ndërsa e ka shënuar vetëm një gol. Ai s’ka luajtur në asnjë ndeshje që nga nëntori, shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës.