Haziri: Albin Kurti po e administron Kosovën, nuk po qeveris – në dialog vetëm po blen kohë

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri, ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon “sot për nesër” dhe nuk ka as kapacitete e as ekip për t’u përballur me problemet e shumta me të cilat përballet vendi.

Derisa Kosova është në zgrip nga kriza energjetike, ekonomike, inflacioni e grevat e sindikatave, Haziri, në një intervistë për Gazetën Enigma, ka thënë se për dalje nga kriza “nuk po shihet as drita në fund të tunelit” sepse nuk ka vendosje të masave që e zbusin krizën.

Kur është pyetur të veçojë ndonjë ministri ose dikaster të Qeverisë Kurti, nënkryetari i LDK-së ka theksuar se performanca e dobët i atribuohet krejt kabinetit në krye të të cilit është kryeministri Kurti.

“Fatkeqësisht, Albin Kurti po e administron Kosovën, nuk po qeveris. Qeverisja e mirë mbetet vetëm një ëndërr”.

“Nuk mund të veçohet një sektor apo ministri… Kemi një reagim linear, një ngulfatje të njëjtë lineare. Kemi mospërgjigje, moskomunikim me organizatat buxhetore, moskomunikim me qytetarin, mostransparencë dhe varshmëri kronike në vendimmarrje të kryeministrit apo të liderit të tyre, e që kjo vjen si pasojë e politikave të VV-së. Por, qeveria dhe institucionet e shtetit nuk janë parti politike. Nuk janë komisione dhe sektorë që menaxhohen brenda një partie politike, por janë organe ku duhet të funksionojë mekanizmi i ligjit”.

Haziri shprehet se Kurti vetëm i shtyn problemet “prej mbrëmjes në mëngjes”.

Qasje të njëjtë, sipas tij, kreu i Qeverisë dhe i Vetëvendosjes ka edhe ndaj dialogut. “Unë besoj shumë që ai nuk është i interesuar të negociojë, por më shumë të menaxhojë proces dhe të shtyjë, për të blerë kohë”.

Nënkryetari i LDK-së ka potencuar se gjatë mandatit të kësaj qeverie nuk ka pasur njohje, por vetëm çnjohje.

“Gjashtë shtete të Pacifikut, gjatë mandatit të Kurtit që nuk ia kanë konfirmuar Kosovës, por sipas burimeve të partnerëve tanë, për shkak të lobimit të Serbisë i kanë tërhequr njohjet. Sidoqoftë, ne e kemi njohjen historike të Izraelit në mandatin e LDK-së dhe aty ka mbetur puna”.

Në intervistë për Gazetën Enigma, Haziri flet edhe për qeverisjen komunale të pasardhësit të tij në pozitën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, duke e ka quajtur “një vit të humbur”.

Haziri ka folur edhe për projektin e renovimit të stadiumit të Gjilanit, por edhe autostradën Gjilan-Prishtinë, projekte këto që ende nuk kanë përfunduar qe një kohë të gjatë.

“Fatkeqësisht kanë mbetur aty ku i kemi lënë. Janë degraduar. Investitorë në programet për zhvillim janë BERZH, Banka Botërore Investimeve dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare, por mungesa e një menaxhimi”.

INTERVISTA E PLOTË:

Nga 14 shkurti në Kosovë, kryeministër është Albin Kurti, derisa Kosova po përballet me krizë energjetike, ekonomike, por edhe shumë probleme tjera. Si mendoni që duhet të dilet nga kjo krize?

Haziri: Dalja nga kriza, natyrisht, do të jetë e vështirë të shihet drita në fund të tunelit sepse kriza po përcillet me mosvendosje të masave që e zbusin krizën dhe që e menaxhojnë krizën. Kjo qeveri po punon në parimin ditor, sot për nesër. Nuk kemi plane të mirëfillta kontingjente, që në çdo situatë dihet se si reagojnë institucionet, organet e pavarura dhe ekzekutive të vendit, qoftë ajo e energjisë, e rritjes së çmimeve dhe inflacionit , sigurisë apo edhe të dialogut si proces. Nëse e shtrojmë në tavolinë të gjitha problemet dhe i listojmë ato, del se kryeministri po i shtynë proceset në mbrëmje, e prej mbrëmjes deri në mëngjes, duke mos pasur mundësi të sjell vendime që vendit ia zbusin dhimbjet sepse për t’i ndal të gjitha këto nuk ka as kapacitete e as ekip.

A duhet të ndërrohen disa ministra për shkak të perfomancës së dobët?

Haziri: Performanca e dobët i atribuohet krejt kabinetit në krye të cilit është kryeministri. Nuk po shihet një vlerësim selektiv ku një sektor apo ministri të veçohet, kemi një reagim linear, një ngulfatje të njëjtë lineare. Kemi mospërgjigje, moskomunikim me organizatat buxhetore, moskomunikim me qytetarin, mostransparencë dhe varshmëri kronike në vendimmarrje të kryeministrit apo të liderit të tyre, e që kjo vjen si pasojë e politikave të VV-së. Por, qeveria dhe institucionet e shtetit nuk janë parti politike. Nuk janë komisione dhe sektorë që menaxhohen brenda një partie politike, por janë organe ku duhet të funksionojë mekanizmi i ligjit. Fatkeqësisht, Albin Kurti po e administron Kosovën, nuk po qeveris. Qeverisja e mirë mbetet vetëm një ëndërr.

Kryeministri Kurti po i vazhdon negociatat me Serbinë, cili është vlerësimi i juaj për qasjen e Qeverisë në negociata. Kemi parë edhe tensionim të situatës në Veri të Kosovës?

Haziri: Mirë që po merr pjesë në negociata sepse ka qenë rezistues kundër negociatave, ka rezistuar nëpërmjet demonstratave të dhunshme kundër marrëveshjeve. Ka rezistuar dhe e ka emërtuar lëvizjen e tij politike me Vetëvendosje, duke ia atribuuar kundërshtimin e madh marrëveshjeve, në veçanti me Serbinë. Tani po i prinë negociatave dhe nuk e ka negociuar asnjë marrëveshje deri tani. Është marrë me marrëveshjet e kaluara të viteve 2011, 2013, 2015 dhe 2017. Pra është marrë vetëm me teknikat e implementimit. Tani për herë të parë në tavolinë mund të ketë diçka që ai negocion dhe të shihet se çfarë marrëveshje eventuale do të sjellë për Kosovën. Unë besoj shumë që ai nuk është i interesuar të negociojë, por më shumë të menaxhojë proces dhe të shtyjë, për të blerë kohë.

Në Kosovë qe një kohë të gjatë nuk kemi pasur njohje të reja, e shihni si dështim të MPJ-së këtë fakt?

Haziri: Nuk kemi pasur njohje, por kemi pasur çnjohje. Gjashtë shtete të Pacifikut, gjatë mandatit të Kurtit (që nuk ia kanë konfirmuar Kosovës), por sipas burimeve të partnerëve tanë, për shkak të lobimit të Serbisë i kanë tërhequr njohjet. Sidoqoftë, ne e kemi njohjen historike të Izraelit në mandatin e LDK-së dhe aty ka mbetur puna. Krejt mania politike është që kjo qeveri të mos na çojë drejt çnjohjeje sepse nuk presim që ka me ndodhë asnjë lloj ndodhje me këtë qeveri dhe me këtë lloj të qeverisjes. Përkundrazi, një qeveri që i frynë retorikës së luftës për shkak të krizave të caktuara që mund të ndodhin në shumë vende, jo vetëm te ne, në raport për shembull me Serbinë. Mesazhi më i keq që ka mundur ta lëshojë është që ‘Kosova është e kërcënuar për luftë dhe pritet te ndodhë luftë’. Përkundrazi, mobilizon partnerët ndërkombëtarë dhe ata që ia duan të mirën Kosovës, që të merren me menaxhimin e krizave në Kosovë e të mos merren me mbështetje ekonomike dhe me investime. Ne duhet të shtrijmë agjendën si vend paqësor, si vend ku jetohet mirë, ku priten mirë mysafirët, ku ardhja e turistëve është e dëshiruar. Mbi të gjitha, të krijohet ambient i qëndrueshëm për investitorët.

Z. Haziri, nga 14 nëntori nuk jeni më kryetar i Gjilanit. Tash në këtë pozitë është Alban Hyseni. Si po e shihni qeverisjen e tij?

Haziri: Në 9 dhjetorin e vitit të kaluar është bërë ndërrimi i administratës komunale dhe natyrisht ne e kemi përcjell mbi baza të rregullta realizimin e premtimeve dhe obligimeve qytetare që kandidati i VV-së, tash kryetar i komunës, i ka paraqitur. Deri tani nuk kemi lëvizje pozitive sa i përket zbatimit të një programi të premtuar, apo një fletushke programore të premtuar, e cila në fakt nuk po zbatohet, duke e nënvizuat edhe mungesën e zbatimit të marrëveshjeve kontratave bazë të projekteve, ku përfshihen një numër i madh i projekteve të investimeve dhe të donatorëve që Gjilani ka punuar me vite për t’i sjell në Gjilan. Tash mbetet të shihet se çka dhe si do të mbyllet ky vit, i cili do të përfundojë me atë që të gjithë besojmë – vit i humbur për Gjilanin. Shpresoj shumë të mos jetë mandate i humbur.

Projekte të mëdha që janë nisur në kohën tuaj, siç janë renovimi i stadiumit të qytetit dhe autostrada ende nuk kanë përfunduar, kush është fajtor sipas jush?

Haziri: Stadiumi i qytetit i kategorisë 4b, i cili është përgatitur për gara ndërkombëtare, impianti i ujërave të zeza, autostrada, hyrje-daljet në drejtim të Prishtinës, në drejtim të Kllokotit, në drejtim të Bujanocit dhe Kumanovës, në katër arteriet kryesore, fatkeqësisht kanë mbetur aty ku i kemi lënë. Janë degraduar. Investitorë në programet për zhvillim janë BERZH, Banka Botërore Investive dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare, por mungesa e një menaxhimi, mungesa e një dije elementare mbi menaxhimin e kontratave dhe projekteve të mëdha, por çon drejt një kërcënimi serioz që këto programe të rrezikohen , sepse jo vetëm që është punuar shumë për t’i bindur financuesit dhe institucionet ndërkombëtare financiare, por janë grande pa kthim për Gjilanin, pa obligime kthyese financiare, përkundër që ujërat e zeza janë problem kryesor, infrastruktura bazë, hyrje-daljet dhe autostrada, i integron afër 600 mijë shqiptarë në dy korridore: korridorin e kombit dhe korridorin e dhjetë ndërkombëtar. Ky vit definitivisht po shkon drejt asaj që do të mbyllet pa asnjë lëvizje.

Të ngjashme