Haziri: Haradinaj nuk është i pari që flet kështu për veprimtarët e vrarë të LDK’së

Prishtinë | 21 Dhj 2017 | 15:28 | Nga

Një deklaratë e nënkryetarit të OVL’së së UÇK’së, Nasim Haradinajt, për vrasjen e zyrtarëve të LDK’së që nga paslufta, ka shqetësuar zyrtarë të kësaj partie, sikurse edhe familjarët e të vrarëve.

“Punë e madhe që janë vrarë ata” tha mbrëmë Haradinaj në një emision televiziv. Por nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se është e dhimbshme qasja ndaj dhunës dhe vrasjeve në vend.

Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së i ftuar në një emision televiziv mbrëmë, ku është diskutuar për Gjykatën Speciale, ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e kompetencave Gjykatës Speciale. Kur u fol për vrasjet e pasluftës, nuk hezitoi të thotë “punë e madhe që janë vrarë këta zyrtarë”. Madje për këto që i deklaroi në publik, nuk tha t’i ketë rënë pishman as sot.

Por, llojet e tilla të deklaratave ndaj vrasjes së zyrtarëve të LDK’’së, sipas Lutfi Haziri, nuk janë se thuhen për herë të parë dhe kjo nuk është diçka e re. Në një prononcim për Express, Haziri thekson se ka shumë vite që edhe të tjerë kanë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë tek vrasjet e pasluftës të anëtarëve të partisë së tyre, vrasje këto që ende nuk janë zbardhur.

“Ka vite që edhe disa tjerë kanë mbajte qëndrimin e njëjtë si ky për vrasjet politike që prej likuidimit të Haki Ymeri e deri te atentatet dhe vrasjet ndaj veprimtar e kombëtar që ka punu me dhe për LDK si udhe politike ka tjetër pos vrasje për së dyti”, është shprehur Haziri.

Ai e quajti të dhimbshme qasjen ndaj dhunës e vrasjeve. Thotë se në vend që të dënohen aktet e tilla, në vend të kësaj inkurajohet dhuna.

“…dhe pretendimi me arsyetu krimin është përtej përgjegjësisë. Arroganca në emër të luftës çlirimtare nuk e justifikon dhe largon nga përgjegjësia askënd”, ka shtuar ai.

Organizata e veteranëve të luftës ka nisur një peticion nga ku ka mbledhur 15 mijë nënshkrime që të kërkohet ndryshimi i ligjit të Gjykatës Speciale, me arsyetimin se kjo gjykatë duhet t‘i dënojë edhe krimet e kryera nga serbët.

Zyrtari i lartë i LDK’së Lutfi Haziri, nuk tregoi qartë nëse LDK do ta përkrah këtë iniciativë të veteranëve për Specialen, veçse tha se Kosova ka ligje dhe kuvend.

Ndaj deklaratës fyese të Nasim Haradinajt, sot kanë reaguar edhe shumë familjarë të të vrarëve bashkë me deputet të LDK’së. Haradinajn e quajtën, pleh, fundërrinë dhe një monstër.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme