Janë bërë më shumë se dy vite që kur është nënshkruar marrëveshja për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Mirëpo, nga ky ligj nuk pajtohet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili po shprehet tejet i bindur se kjo marrëveshje është me plotë gabime.
Andaj sipas tij, e njëjta sapo të formohet qeveria e re duhet të përmirësohet dhe të vendoset një ligj i ri që kufiri me shtetin fqinj të jetë në pikat Kullë dhe Çakorr.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka komentuar për ‘Indeksonline’ këto deklarata të Haradinajt duke cilësuar si thashetheme të kota.
Sipas, Hazirit s’ka asnjë fuqi që mund ta ndryshojë ligjin i cili është miratuar në qeveri.
Më tej, ai ka theksuar se në atë ditë që e sjellin në Kuvend ligjin e ri për këtë çështje, LDK do ta vlerësojë dhe do të jep qëndrimin e saj për votën.
“Këto janë vetëm fjalë të z.Haradinaj, ata duhet që ta sjellin në Kuvend, mandej ne e vlerësojmë. Ligji nuk ka thashetheme as nuk ka komente logjike, pra ligji është ligj dhe në momentin që e sjellin atë në Kuvend atëherë ne e vlerësojmë. Për momentin është një ligj i miratuar në qeveri dhe ai ligj i njëjti ka me u procedu në Kuvend. Kur të vjen ne e vlerësojmë dhe japim qëndrimin tonë për votën që duhet të jepet”, ka thënë Haziri.
Tutje, Haziri ka thënë qartë se nuk ka asnjë fuqi që e ndryshon atë ligj, por nëse kanë fuqi me ndryshu atë ligj, ai personalisht ka thënë se do të ua jap dorën dhe do t’i përshëndes.
Ndryshe, kujtojmë se sot është vendosur nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që seanca për votimin e qeverisë të mbahet sot (e shtunë) në ora 16:00. Ku mandatar i kësaj nga koalicioni PAN është Ramush Haradinaj.