Haziri: Këta nxënës nuk e përfunduan maturën në bankat e shkollës, por janë të përgatitur

Prishtinë | 29 Gus 2020 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica, kanë përcjellur nga afër testin e maturës i cili është organizuar në kushte pandemie, me mbështetjen e MASH, IKSHPK, Policisë së Kosovës dhe ekipeve të shëndetësisë primare.

Testit të maturës sot i janë nënshtruar 1677 nxënës në 10 qendra të testimit duke i respektuar kushtet e pandemisë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nga afër ka përcjellur ecurinë e testimit dhe njëkohësisht përgatitjet që janë bërë, që gjithçka të ecë sipas planifikimit, për gjeneratën e cila do të mbahet mend gjatë gjithë jetës për përfundimin e maturës larg bankave të shkollës.

“Këta nxënës nuk kishin mundësinë ta përfundojnë maturën në bankat e shkollës, ekskursionin e organizuar etj., dhe do ta mbajmë në mend gjithmonë edhe shkaktarin e kësaj, virusin Covid-19. Nxënësit tanë janë të përgatitur dhe besojmë shumë që ata të jenë të suksesshëm dhe të punojnë mirë në test. Jemi në pritje të ziles së shkollës, këtë e presin edhe mësimdhënësit, por më shumë nxënësit që për një kohë të gjatë ishin jashtë bankave shkollore”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej ka konfirmuar se DKA në Gjilan është gatshme për aplikim të tri moduleve sipas strategjisë së MASH për fillimin e mësimit.

“Po ashtu, do të punohet edhe në gatishmërinë e procesit online, sepse Gjilani është ndër komunat e para që e ka filluar këtë formë të mësimit në kohë pandemie dhe ka dhënë efektin e vet, ai do të jetë opsioni i fundit përsëri. Arsimi është prioriteti kryesor dhe të gjitha punët tjera i lëmë si sekondare e terciare sepse kanë kohë, por për këta fëmijë koha nuk blihet dhe as nuk kompensohet, prandaj po punojmë që fëmijët tanë të jenë të barbarët me gjeneratat e tyre kudo që janë”, tha Haziri.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka konfirmuar se të gjitha përgatitjet janë bërë konform rekomandimeve dhe gjithçka po ecën sipas planifikimit.

“Nëpër klasa janë duke u testuar jo më shumë se 12 nxënës dhe në një qendër të testimit, jo më shumë se 200 nxënës. Të gjitha përgatitjet janë bërë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe u dëshirojmë suksese nxënësve. Këto janë disa nga rekomandimet e institucioneve shtetërore për mbrojtje nga virusi Covid-19, nën përcjelljen e administratorëve dhe personelit të Drejtorisë për të përfunduar këtë proces testimi në mënyrën më të mirë”, ka thënë Gagica.

Të ngjashme