Haziri: Kurti e kundërshtoi Asociacionin, po pranon Autonomi politike në 17.3 për qind të territorit të Kosovës

Prishtinë | 17 Kor 2024 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se e ka kundërshtuar një Asociacion dhe po e pranon një autonomi politike në 17.3 për qind të territorit të Kosovës.

Haziri vazhdoi kritikat duke thënë se tri vite gjatë mandatit të tij, Kurti ka thënë se herë ka marrëveshje me Serbinë e herë jo, pasi ajo nuk është nënshkruar.

“Kemi draft-statut e më vonë thanë nuk kemi. Është dokument zyrtar i punuar nga tre ekspertë evropianë, dërgon komentet me shkrim dhe në mënyrë zyrtare kthehen prapa e thonë është Non Paper dokument dhe pa autor”.

“Jo Gjykatën Kushtetuese të Republikës tonë, por Komisioni i Venecias si organ i pavarur dhe neutral. Jo draftit evropian, por një draft i ri në korniza të FES edhe atë për dhjetë ditë ishin të gatshëm ta bëjnë dhe me këtë fakt pranohet Zajednica”, shkroi Haziri.

Më tej, Haziri tha se me garancionin shtesë të presidentes Vjosa Osmani se pas vendimit të qeverisë, ajo do ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese, ky është presioni më i madh ndaj Kurtit si kryeministër.

“Tani Presidentja Osmani me garancione shtesë dhe gatishmëri që pas vendimit të Qeverisë, ajo personalisht ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Ky është hapi më i madh dhe më i zbardhur si presion ndaj Kurtit si Kryeministër, i cili duhet të veprojë. Atij po i kërkohet ta sjellin vendimin për Asociacion në Qeveri”,

“Presidentja e dërgon në Kushtetuese dhe EU/ Task forca e implementon Zajednicën. Ndarje e re e detyrave. E kundërshtoi një Asociacion e po e pranon një Autonomi politike në 17.3 për qind të territorit të Kosovës. Në gjuhen e Kurtit i bie: ‘Ju nuk e zbatuat Zajednicën, po ua sjell Pokrainën veriore të Kosovës’”, shkroi Haziri.

Tutje, ai e komentoi edhe vendimin e qeverisë që t’ua paguaj mërgimtarëve policat e sigurimit, ku iu tha atyre se nuk duhet të presin asgjë tjetër përveç “Pokrainën në veri të vendit”.

“P.S. Mërgimtarëve që u premtoi 3 milionë euro për kartonin e gjelbër e 10 milionë për kreditë për t’ua servisuar në kohën kur ata 1.2 miliardë dërgojnë remitenca çdo vit Kosovës, nuk duhet me pritë që u jep asgjë tjetër pos Pokrainën në veri të vendit. Ata e duan Kosovën më shumë se premtimet e tij”, tha ai.

Të ngjashme