Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka thënë në takim se nuk janë dorëzuar dosjet e plota të qeverisë paraprake lidhur me çështjen e dialogut.
Kjo sipas Hazirit, meqë Kurti ka insistuar se ka pranuar dokumente voluminoze nga ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, njofton Klan Kosova.
”Takimin e filluam me atë për zhvillimet e brendshme, çështja e dosjeve”.
”Dëshiruam të sqarojmë, për hir të interesit të publikut, që dosja është bartur zyrtarisht qeverisë me numër protokolli, për ato dokumente që ekzistojnë, që ka pasur sepse kanë qenë gjashtë muaj efektive punë, s’ka pasur më shumë”.
”Natyrisht në këtë sqarim e pamë që kishte mungesë komunikimi, por pozicionet nuk ndryshuan as në fund, pasi ish ‘ping-pong’ në atë që ka pasur dhe s’ka pasur dokumente”.
”Ai ka marrë dosje nga ndërmjetësi ndërkombëtar [Miroslav Lajçak]. Insistimi i tij ka qenë se dosja ka qenë voluminoze nga ndërmjetësi i BE-së nga Miroslav Lajçak. Por, dokumentet që janë diskutu, pala jonë dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ia ka dorëzu me proces verbal”.
”Nuk e kam kuptuar arsyen edhe sot pse është dashur me dal me diçka që ka pasë ose s’ka pasë”.
”Memoria institucionale për punët në Kosovë, është duke munguar për shkak të procesve të caktuara. Është bërë trend gjithmonë me thënë se unë filloj nga këtu”.
Haziri në Rubikon me Adriatik Kelmendin, thotë mes tjerash se përveç ofertës së LDK-së që ua prezantuan, kërkuan nga Qeveria Kurti të kërkojnë në arkiva për ato çfarë kërkojnë, njofton Klan Kosova.
”Ne iu thamë që mund të hulumtojnë brenda arkivave së shtetit. Ajo çka ne ofruam është platforma e LDK-së. Me ato parime është pajtuar edhe QUINT-i”.
”Dokumenti si i tillë, platformë politike përmban të gjitha kërkesat. Dokumenti si i tillë është i faktuar, është bindës dhe ka përkrahje të partnerëve ndërkombëtarë që quhet QUINT-i si pesëshe. Dhe e treta që ajo ne kërkuam është raportimi”.