Nënkryetari i LDK-së i cili është edhe kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se zgjedhjet kanë qenë të pritura nga secili subjekt politik.
“Për shkak të Presidentit, i kemi pritur zgjedhjet por jo ndoshta në janar”, ka thënë Haziri në “Debat Plus”.
Ai ka thënë se ende nuk e kanë diskutuar emrin e kandidatit për kryeministër nga radhët e LDK-së.
Haziri ka thënë se është bërë vlerësimi i punës së qeverisë ku sipas tij nuk përjashtohet as kandidimi i Avdullah Hotit për kryeministër.
Nënkryetari i LDK-së thotë se faji për rrëzimin e qeverisë është edhe i tre deputetëve të LDK-së që nuk e kanë votuar qeverinë Hoti e që sipas tij, pa këto vota Kushtetuesja rrëzoi qeverinë.
“Mosbesimi i individëve karshi strukturës së partisë po e nxjerrë LDK-në gjithmonë në garë me vetveten. Pra, LDK në shkallën e parë po duhet të përballet me vetveten e më pas nëse e kalon këtë garë po duhet të del në garë me të tjerët”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Haziri thotë se Vjosa Osmani u përjashtua nga strukturat e partisë pasi nuk respektoi vendimet e shumicës dhe ky sipas tij nuk ishte përjashtim nga partia.
“Ajo nuk mundi ta përballojë këtë veprim për shkak se ishte kandidate për kryeministre”, tha ndër të tjera Lutfi Haziri.