Haziri nderon Ibrahim Oruqin: ‘Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje’

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Bresalci dhe Anamorava kanë nderuar figurën e dëshmorit dhe heroit të luftës, Ibrahim Oruqin, kryengritësin politik e ushtarak dhe luftëtarin e lirisë së Kosovës.

Në një manifestim përkujtimor të veçantë, është kujtuar vepra dhe sakrifica e Hushit, emri i të cilit është bërë pjesë e shkollës, librave dhe këngëve, ndërsa nga ky vit edhe i turnirit më madhështor të futsallit.

Në fjalën e tij, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar lart figurën e Ibrahim Oruqit, duke theksuar se vepra e tij vazhdon të bëjë roje mbi lirinë e Kosovës, ndërsa amaneti për bashkimin e shqiptarëve mbetet i gjallë.

Haziri ka përmendur edhe familjen e Oruqit, duke vlerësuar kontributin e Imranit në rritjen dhe edukimin e Albulenës dhe Endritit, të cilët sot po i shërbejnë Republikës me dije dhe mbrojtje. Ai ka veçuar edhe brezin e ri të familjes, Mara, Ana dhe Kiani, të cilët po rriten me tregimet dhe kujtimin e gjyshit Hero.

“Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje”, ka shkruar Haziri, duke përcjellë mesazhin se kujtimi për heronjtë nuk shuhet dhe se sakrifica e tyre mbetet pjesë e përhershme e historisë së Kosovës.

Në fund, Haziri ka falënderuar Këshillin Organizativ të Bresalcit për organizimin e këtij manifestimi përkujtimor, duke e cilësuar atë si një ngjarje të veçantë në nderim të jetës dhe veprës së Ibrahim Oruqit.

Të ngjashme