Në natën e 17-të të protestës “Jo në emrin tim”, organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka folur për marshimin e një dite më parë dhe hyrjen në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit lanë një uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Ekonomia Online.
Haziri tha se uniforma u la në ndërtesën e Qeverisë si kujtesë për sakrificën mbi të cilën, sipas tij, janë ndërtuar shteti dhe institucionet e Kosovës.
“E atë marshim dje, pastaj edhe hymë në ndërtesën e Qeverisë për të lënë diçka. Lamë uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E lamë aty për t’ju kujtuar se mbi sakrificën e asaj uniforme u ndërtua ky shtet. U ndërtuan këto institucione. U ndërtua edhe kjo polici që për të 17-tën natë po na bën roje neve, dhe së cilës për të 17-tën natë po i bëjmë roje edhe ne.”
Ai u ndal edhe te pjesëtarët e Policisë së Kosovës që, sipas tij, kanë pasur të kaluar në radhët e UÇK-së.
“Dhe shumë prej tyre policëve që sonte janë këtu pranë nesh, uniformën e UÇK-së e kanë edhe në shtëpitë e tyre. Për disa prej tyre, ajo uniformë nuk është vetëm kujtim i babait, i vëllait apo i një familjari. Ajo uniformë mund të ketë qenë edhe e tyre. Sepse ka burra e gra në Policinë e Kosovës që para se ta veshin uniformën e Policisë së Kosovës, e kishin veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
Haziri tha se këta persona, sipas tij, dikur e kishin veshur uniformën e UÇK-së për çlirimin e vendit, ndërsa sot uniformën e Policisë së Kosovës për mbrojtjen e shtetit.
“Dikur… dikur e veshën uniformën e UÇK-së për të çliruar këtë vend, e sot uniformën e Policisë së Kosovës për ta ruajtur këtë shtet. Prandaj dje hymë për të lënë një kujtesë dhe bashkë me të, një mesazh:”
Në vijim, ai bëri thirrje për miratimin e një ligji për UÇK-në.
“Votojeni ligjin! Votojeni ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës! Ja kemi borxh asaj uniforme mbi sakrificën e së cilës u ndërtua ky shtet.”
Në fund të deklaratës, Haziri përmendi edhe ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Sepse përderisa në institucionet tona, në Kosovën tonë, me urgjencë… çfarë është me urgjencë e çfarë duhet të presë, në Hagë ka njerëz që po presin prapa grilave. Ata njerëz janë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, bashkë me Calin e Pjetër Shalën.”
