Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar pas heqjes së tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në një postim të shkurtër në Facebook, ai ka thënë se vendimi i Qeverisë në detyrë është bërë pa kurrfarë koordinimi, raporton KOHA.
“Heqja e taksës është bërë pa kurrfarë koordinimi e pa kurrfarë angazhimi, sidomos me Qeverinë amerikane. Nuk shoh që i jep oksigjen politik kësaj situate të rënduar politike. Edhe pse taksa e mori me vete Qeverinë e dytë, veprimi i sotëm ka me qenë me pasoja prapë”, ka shkruar Haziri.
Në fakt, LDK-ja ishte insistuesja më e madhe që të hiqet tarifa, ndërkohë kjo edhe u dha si arsye për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, ku bënte pjesë edhe kjo parti. Por, sot kur tarifa është hequr dhe është vendosur masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, Qeveria në detyrë është kritikuar edhe nga LDK-ja.