Haziri: Rexhep Berisha ishte shembull i qëndresës, ai do të mbetet simboli ynë

Gjilan | 30 Qer 2017 | 19:23 | Nga

Për të nderuar atdhetarin Rexhep Berisha, burrin e madh dhe të urtë, i cili u nda nga jeta të mërkurën, të premten në Gjilan është mbajtur edhe një mbledhje e madhe komemorative e qytetit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve komunale e shtetërore, të strukturave të tjera politike e fetare si dhe qytetarë të shumtë të Gjilanit, Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kosovës.

Duke folur në këtë komemoracion, LutfiHaziri, kryetar i Komunës, i cili në emër të qytetarëve të Gjilanit, i fundit është ndarë Rexhep Berisha, ka thënë se të gjithë ne jemi sot të vegjël para veprës së tij, para shtatit të tij dhe para fjalëve që na la sa herë që e kemi takuar dhe kudo që e kemi takuar, në ditë të vështira e në ditë të mira.

Sot jemi të vegjël para qëndresës së tij të madhe, i cili edhe atëherë kur e përcolli djalin e tij, Nuhiun, kryengritës i viteve të 80-ta, arrit ta ruaj e mbajë krenarinë në familjen e tij Berisha, e cila sot është ndër familjet më të mëdha në Gjilan, ashtu siç bëri edhe familja Mala, familja Zeka, ashtu siç bënë shumë familje të kohës, të cilat nuk u thyen, por u ringjallën e u ri-ngritën dhe vazhduan kontributin e madh në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe të të drejtave të shqiptarëve.

Natyrisht që, ka vazhduar Haziri, baca Rexhep nuk e ka edukua vetëm Nuhi Berishën, as vetëm djemtë, vajzat dhe nipërit e mbesat e tij, por ai më ka edukuar edhe mua, sa herë që më ka parë në rrugë, në zyrë, në shtëpi, duke më thënë “mos e korit babën, mos e korit gjyshin, mos e korit familjen, por vazhdo me punua mirë, vazhdo me i ndihmua njerëzit”. Ai, këto fjalë ia ka dhënë çdo kujt që e ka takuar, ka thënë kryetari Haziri.

“Baca Rexhë nuk është vetëm babai i familjes Berisha dhe as vetëm gjyshi i kësaj familje, ai është babai i gjithë neve dhe si i tillë do të mbetet simboli ynë”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar faktin se tirqit, plisi dhe kostumet tjera të tij, tashmë janë pjesë e muzeut të qytetit.
“Faleminderit baca Rexhë për krejt atë që ke bërë për ne, për rreth një shekull jetë, faleminderit që na mësove qëndresën, faleminderit që nuk u theve asnjëherë, që na mësove si të mos koritemi asnjëherë para familjes, para atdheut dhe para Zotit. Ky është mësim i një babai të mirë”, ka thënë kryetari Haziri.

Në tubimin komemorativ për Rexhep Berishën ka marrë pjesë edhe RamushHaradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës, i cili ka thënë se të ndahesh prej njerëzve tek të cilët ka besim të madh, nuk është aq e thjeshtë.

Ndarjen e sotme me bacën Rexhë, ai e krahasoi me ndarjet prej burrave të çmuar, prej burra të zotë, prej atyre që, siç tha Haradinaj “ma kanë bërë të lehtë t`i them vetes shqiptar”.

“Mundem me thënë se sot vërtet pop ndahemi prej shqiptari model, modelin e të cilit mundemi secili prej nesh me marrë me vete në rrugën tonë të jetës. Prej bisedës me bacën Rexhë, kam mundur ta marrë me mend se kush ka qenë Nuhi Berisha, sepse atë nuk e kam njohur personalisht, sikurse kam mundur të kuptoj se kush kanë qenë prindërit e atyre që kanë rënë në beteja”.

Haradinaj tha se kushdo prej nesh që ka pasur rastin me rrugëtua së bashku me bacën Rexhë, e kemi për borxh me mbajt këtë nder gjatë gjithë jetës sonë.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, bashkëveprimtar i Nuhi Berishës, ka thënë se sot po ndahemi nga një burrë i madh i kombit tonë, i cili tërë jetën e vetë e kishte vertikale. “Baca Rexhë na ka edukuar se si duhet atdheu.

“Ai na ka lënë amanet për të vazhduar rrugën e lirisë dhe të kombit”, ka thënë Isufi.

Në emër të familjes, është falënderuar Bajram Berisha. Familjes Berisha, telegrame ngushëllimi i kanë dërguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani dhe të tjerë.

Rexhep Berisha u varros me nderime institucionale e qytetare në varrezat e dëshmorë e në Gjilan.

Të ngjashme