Sapo jemi futur në vitin 2020 dhe Kosova ka marrë lajmin më të mirë.
Njëri nga mesfushorët më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu është shëruar plotësisht nga lëndimi.
Gjilanasi ka qëndruar tetë muaj jashtë fushave të blerta, pas këputjes së ligamentit.
Por lëndimi tanimë është harruar nga numri gjashtë i Kosovës, i cili i është bashkuar grupit në stërvitje.
Kryeziu prej kohesh po stërvitej i diferencuar, mirëpo tani në fillim të vitit i është bashkuar grupit.
Rikthimi i mesfushorit kosovar nga lëndimi është një lajm i madh për dy trajnerët Ludovic Magnin të Zurichut dhe Bernard Challandes të Kosovës, transmeton telegrafi.
Kujtojmë që 26-vjeçari ka qenë prej vitesh njëri nga futbollistët më të rëndësishëm të Kosovës dhe është njëri nga kapitenët e ekipit.