Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, ka hedhur kritika të ashpra në adresë të Lidhjes Demokratiket të Kosovës, për dështimin e ratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale, raporton Ekonomia Online.
Referuar LDK-së që votoi kundër, Murati ka përsëritur se është hera e parë ku një parti politike voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo marrëveshje u rrëzua për shkak një grup parlamentar, saktësisht LDK–ja ishte kundër. Në të kaluarën ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare, grupet parlamentare nuk kanë marrë pjesë fare në votim për të mos e mundësu formimin e kuorumit, por nuk ka ndodhur asnjë herë një marrëveshje financiare ndërkombëtare të rrëzohet”, ka thënë Murati.
Murati tha se kishte pyetje e kërkesa për sqarime për te cilat tha se është munduar t’i sqaroj.
“Bëhet fjalë për financim të reformës pra ndërtimit të sistemit dhe reformimit të sistemit në mënyrë që të bëhet më efikas, në targetin e familjeve në nevojë. U tha që ne gjoja se ne i paskemi kundërshtua marrëveshje të tilla ndërkombëtarë, u tha që në të kaluarën nuk ka ndodh asnjëherë që te hyhet më marrëveshje të tilla për të financuar skemat sociale që të dyja janë të pavërteta. Madje në vitin 2020 kur sapo na kishin rrëzuar nga qeveria dhe kishte ardhur një koalicion i ri e kishin sjellë marrëveshjen me bankën botërore në vlerë prej 46 milion euro që parashihte rritjen e përfitimit për skemën e ndihmës sociale”, ka thënë Murati.
Murati tha se aso kohe i ka bërë thirrje edhe deputetëve tjerë që ta mbështesin atë marrëveshje dhe e kanë votuar përfshirë edhe marrëveshjen me Bashkimin Evropian në vlerë 100 milionë euro, raporton EO.
“Në kohë pandemie nëse marrëveshjet janë për t’u ndihmuar qytetarët duhet ti mbështesim këtë gjë nuk e pamë sot. Arsyetimi i tyre ishte që sipas vlerësimit të tyre nuk ja vlen. Unë konsideroj qe t’u lihet edhe qytetarëve që ta vlerësojnë. Sa i përket hapave të radhës, normalisht që kjo nuk është sinjal i mirë në raport me bashkëpunëtoret tanë ndërkombëtarë, sidomos me Bankën Botërore”, ka thënë ai.
Murati ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim virtual me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin për shkak se bëhet fjalë për afate kohore lidhur me këtë marrëveshje.