Me rastin e 22-vjetorit të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori Marjan Dema ka bërë homazhe tek ish-rektorati në Velani, në nderim të ish-rektorit Ejup Statovci.
Duke e konsideruar ish-rektorin Statovci si një rektor historik, i pari i universitetit e quajti 1 tetorin si një ditë të veçantë.
“Sot, në Universitetin e Prishtinës fillon viti i ri akademik dhe arsyeja tjetër se pse kjo ditë është e veçantë është kjo që para 22 vjetësh, pikërisht nga ky vend, nën udhëheqjen e rektorit historik Ejup Statovci, studentët e UP-së ia mësynë ndryshimit pozitiv, i cili edhe më vonë ndodhi”, tha rektori Dema.
Ndërsa, e bija e ish-rektorit Ejup Statovci, Anila Statovci, në emër të familjes, e falënderoi rektorin Dema për përkujtimin e veprës së babait të tyre.
“Rinia e një vendi është forca lëvizëse e saj. Andaj, jam krenare që babi im ishte njëri ndër ata që inicioi transformimin pozitiv për Kosovën”, tha ajo.
Ejup Statovci ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik dhe rektor i Universitetit të Prishtinës prej vitit 1991 deri më 1997.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.