Shtëpia është vendi më i sigurt për kafshën tuaj gjatë kohës që ju nuk jeni. Por, një pakujdesi e vogël mund ta kthejë shtëpinë në kërcënimin kryesor të jetës së kafshës.
Endri Haxhiraj, mjek veteriner
Nga njëra anë shtëpia është “një magazinë” e vërtetë helmesh dhe lëndësh shumë të dëmshme për shëndetin e kafshës. Nga ana tjetër kafshët janë qenie shumë kurioze. Për këto dhe arsye të tjera, më poshtë shtrohen lëndët helmuese shtëpiake më të shpeshta kërcënuese për shëndetin e kafshës:
1. Ilaçet njerëzore!
Për shumë vite me radhë medikamentet humane kanë përbërë nr 1 të rreziqeve më të zakonshme për jetën e kafshëve. Kafshët mund të bien rastësisht në kontakt me medikamentet p.sh., kur ato bien në tokë ose kur ato nuk janë vendosur në vende të sigurta.
Rekomandohet si domosdoshmëri vendosja e tyre në vende të paarritshme nga kafshët dhe pronari të jetë i vëmendshëm që të shmangë rënien e medikamenteve në tokë.
2. Insekticidet!
Në përpjekje për të fituar betejën tonë kundër insekteve të padëshiruara/të dëmshme shpesh herë rrezikojmë dhe jetën e kafshëve shtëpiake. Një nga aksidentet më të shpeshta është helmimi nga përdorimi i gabuar i preparateve, pasi çdo preparat duhet të përdoret në ato specie për të cilat ai është prodhuar.
Kujdes! Para çdo trajtimi të kafshës suaj, sidomos për pleshtat apo për mizat, të konsultoheni me veterinerin tuaj.
3. Ushqimet për njerëz!
Ushqime të tilla si rrushi, rrushi i thatë, avokado dhe produkte të tjera si çamçakëzi, mund të dëmtojnë rëndë kafshët tuaja.
Një prej ushqimeve më të rrezikshme është dhe çokollata, e cila nëse konsumohet në sasi të mëdha mund të shkaktojë të vjella, diare, etje të madhe, urinim të shtuar dhe në raste ekstreme çrregullim të ritmit të zemrës, dridhje dhe kriza.
4. Bimët!
Bimët shtëpiake të tilla si ato të gjinisë “rhododendron” (familja Ericaceae), “lilium” (familja Liliaceae), “kalanchoe” (familja Crassulaceae) and “schefflera” (familja Araliaceae) janë të rrezikshme për kafshët.
Liliumet janë toksike për macet dhe mund të përbëjnë një kërcënim për jetën, shkatërrim të veshkave, madje dhe në sasi të vogla.
5. Preparatet veterinare!
Edhe pse preparatet veterinare janë prodhuar për kafshët, shpesh herë ato nuk përdoren apo aplikohen, siç duhen nga pronarët e kafshëve duke vënë në rrezik jetën e kafshëve.
Këto preparate përfshijnë preparatet anti-inflamatorë jo-steroidalë, preparatet për parandalimin e krimbave të zemrës, antibiotikët, vaksinat dhe suplementet ushqimorë.
6. Rodenticidët (barnat kundër minjve)!
Barnat për minj përmbajnë lëndë tërheqëse edhe për kafshët shtëpiake. Në varësi të tipit të rodenticidit, ngrënia apo gëlltitja e tyre mund të shkaktojë probleme serioze për jetën si gjakderdhje, dëmtim të veshkave apo kriza. /Telegrafi/