Helmimet e vajzave iraniane në shkolla, Gjermania kërkon hetim

Prishtinë | 03 Mar 2023 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Raportimet për helmimin e vajzave në shkollat në Iran janë tronditëse dhe duhet të hetohen plotësisht, tha më 3 mars ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Deklarata e Gjermanisë, vjen pas asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila u shpreh e shqetësuar për këto raportime.

Qindra vajza iraniane në shkolla të ndryshme kanë pësuar “helmim të lehtë” gjatë muajve të fundit, sipas ministrit iranian të Shëndetësisë, Saeed Namaki. Gjithashtu, disa politikanë thonë se ato mund të ishin shënjestruar nga grupet fetare që kundërshtojnë arsimimin e vajzave.

“Vajzat duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë pa frikë”, shkroi Baerbock në Twitter. “Të gjitha rastet duhet të hetohen plotësisht”.

Incidenti i parë besohet të ketë ndodhur në nëntor, kur 18 nxënëse në qytetin e Qom u dërguan në një spital pasi u ankuan për simptoma si dhimbje koke, kollë, vështirësi në frymëmarrje, rrahje zemre dhe mpirje të duarve dhe këmbëve.

Dje, Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se është e gatshme të ofrojë mbështetje për Iranin për të ndihmuar në zgjidhjen e një krize në rritje, pas sëmundjes misterioze që ka shtruar dhjetëra nxënës shkollash nëpër spitale./REL

Të ngjashme