Të enjten është tërhequr shorti për kualifikimet e rregullta për Euro 2022 në konkurrencë të femrave.
Evropiani i ardhshëm i hendbollisteve mbahet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, përfaqësuese këto që janë kualifikuar direkt, sikurse Norvegjia që është kampione aktuale.
Kampionati Evropian do të mbahet në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse kualifikimet e rregullta nisin në tetor të këtij viti. Kosova është në fazën e parë kualifikuese së bashku në grup me Portugalinë, Luksemburgun e Qipron.
Ndeshjet e fazës së parë kualifikuese luhen prej 31 majit e deri më 6 qershor. Duelet e Grupit 1, ku është Kosova, pritet të luhen në Portugali. “Portugalinë e kemi rivalin kryesor për vendin e parë që siguron avancimin tutje. Shpresat janë shumë të mëdha që në kualifikimet e rregullta do të paraqitet edhe Kombëtarja jonë.
Me sukses në Portugali, Kosova do të jetë në grupin e pestë të kualifikimeve të rregullta së bashku me Spanjën, Hungarinë dhe Sllovakinë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK). “Synimi ynë përfundimisht është të fitojmë grupin parakualifikues në Portugali dhe të avancojmë në kualifikimet e rregullta. Sinjalet që morëm gjatë ndeshjeve në Austri javën e kaluar, janë shumë pozitive dhe në Kombëtare ka optimizëm për sukses në Portugali”.