Në konferencën STEMinists’24, e cila mbledhë gratë dhe vajzat nga fushat STEM që të shpalosin arritjet e tyre, në panelin e parë u diskutua hendeku gjinor në fizikë dhe astronomi si dhe rëndësia e masave afirmative dhe rrjetëzimi, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se ne Kosovë hendeku gjinor në shkenca është shumë i pranishëm dhe se duhet më shumë punë që femrat të angazhohen në këto fusha.
Mimoza Hafizi, Akademike, Prof. Dr. në Fizikë nga Universiteti i Tiranës, ka thënë se duhet që të punohet që të shpëtohen shkencat në mënyrë që të shpëtohet progresi i vendit.
“Unë kam dëgjuar një mesazh nga disa mësuese gjimnazi në Shqipëri që kanë thënë ‘shpëtoni matematikën, që të shpëtoni fizikën’. Unë besoj që gratë janë njerëzit që dëgjoj më shumë, që ndjen më shumë kur atdheu thërret dhe kjo thirrje e atdheut që të shpëtojmë shkencat në mënyrë që të shpëtojmë progresin e vendit”, ka thënë ajo.
Duresa Temaj, Kandidate për Doktoraturë në Astrofizikë, Instituti Max Planck për Kërkime Diellore në Berlin, ka thënë se hendeku gjinorë në vendit tonë është shumë i thellë, për shkak sipas të mentalitetit të shoqërisë kosovare.
“Fatkeqësisht hendeku gjinor është shumë i pranishëm në shkencat. Sipas një studimi të bërë në SHBA, të gjithë studentët e diplomuar në Bachelor vetëm 20 për qind të tyre janë femra, e kjo përqindje bie edhe më shumë kur i konsiderojmë nivelet më të larta të studimeve. Kjo më të vërtetë është një dukuri shqetësuese. Në Kosovë ky hendek është edhe më i thelle e kjo vjen për shkak të mentalitetit tonë si shoqëri ku vajzat nuk inkurajohen të studiojnë në shkenca sepse, nuk i shtyjnë t’i ndjekin ëndrrat sepse shumë shpesh këto ëndrra ja përcakton shoqëria dhe rrethi ku jetojmë. Rrjetëzimi është një metodë shumë e mirë dhe shumë efektive për inkurajimin e vajzave të reja në studimet në këto shkenca”, ka thënë ajo.
Aulona Çaka, Themeluese dhe Udhëheqëse e Klubit të Astronomëve të Kaçaniku “Nebula”, ka thënë se kur kanë filluar që të merren me këtë klub më shkollë dhe se interesimi ka qenë i madh.
Ajo tha se tani klubi “Nebula” numëron 20 anëtarë ku numri më i madh i tyre është vajza.
“Unë kam filluar në klubin 14 vjeçare, fillimisht ky klub ka filluar si një klub i shkollës, jemi mbledhur disa nxënës dhe kemi folur për astronomi. Interesimi nuk ka munguar asnjë herë. Klubit tonë kur ju shtua edhe mjeti optik teleskopi interesimi vazhdoj duke u rritur, tash klubi numëron rreth 20 anëtar aktiv që shumica prej tyre janë vajza”, ka thënë ajo.