“Heqja” e billbordit të Thaçit e Veselit, reagon Peci: Kërkova përjashtim për foton e tyre

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar pas raportimeve se në komunën që ai udhëheq, gjatë së mërkurës është tentuar të largohet billbordi me fotografinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Peci ka mohuar pretendimet se fotografia e ish-krerëve të UÇK-së ka qenë cak për t’u larguar nga hapësirat publike, ku sipas tij, janë janë vendosur pa leje.

Ai ka thënë se autoriteteve komunale u ka rekomanduar që me rastin e largimeve të këtyre billbordeve, përjashtim të bëhet vetëm të atyre që mbajnë fotografitë e Thaçit dhe Veselit.

“Si kryetar, u kam rekomanduar që të kete përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish Presidientin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata. Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pijnë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli.”, ka shkruar Peci në Facebook.

Ndryshe, gjatë ditës janë parë punëtorë të kompanisë së kontraktuar për të bërë largimin e billbordeve nga hapësirat publike në Mitrovicë, por aty kishin ndërhyrë disa qytetarë për të mos lejuar largimin e atyre që mbajnë figurat e Thaçit dhe Veselit.

Gjithashtu, në vendngjarje kishte dalë edhe Arian Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe ish-kandidat i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Të ngjashme