Albin Kurti, kandidat për kryeministër i Kosovës, është politikani i radhës që ka kërkuar heqjen e tarifës në Rrugën e Kombit. Para Kurtit, heqjen e kësaj tarife e kanë premtuar edhe liderë të opozitës në Shqipëri, pikërisht kryeopozitari Lulzim Basha, apo siç thirret ndryshe kryeministri në hije.
Në një prej intervistave të tij, pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti ka zbuluar se i ka kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ta heqë tarifën që është vënë për Rrugën e Kombit, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tij, me Ramën ka folur për heqjen e barrierave mes dy shteteve, e nga këto është përmendur edhe pagesa prej 5 eurosh që duhet paguar në autostradën që e lidh Shqipërinë me Kosovën.
“Ne kemi hapur çështjen e bashkëpunimit ekonomik dhe liberalizimit të tregut, dhe heqjen e barrierave tregtare. Dhe unë kam shprehur qëndrimin tonë se ndërkohë që e kemi një kufi të padrejtë administrativ, ta kemi dhe një pengesë shtesë për të cilën duhet të paguash. Është shumë e rëndë për qytetarin shqiptar, prandaj unë angazhohem për një zgjidhje alternative të kësaj. E kemi hapur si temë, por edhe kjo është një temë që nuk e kemi mbyllur”, ka thënë Kurti në Tiranë.
Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që pretendon së shpejti të jetë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Basha ka ripërsëritur premtimin se me ardhjen në pushtet të PD-së, do ta heqë traun e Rrugës së Kombit.