Me rastin e 35-vjetori të rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, janë bërë homazhe te vendi i rënies së tyre në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Familjarë e bashkëpunëtorë të heronjve bën homazhe, teksa u ndanë edhe mirënjohje për familjet Zhitia e Fazliu për kontributin e dhënë atë kohë.
Ish i burgosuri politik, Nait Hasani, tha për Ekonomia Online se rënia e tyre ishte moment i rëndë për procesin e Lëvizjes. Hasani, ndër të tjerash e konsideron rënien e tyre edhe si frymëzim për gjeneratat e viteve 90-ta.
“Vitet tregojnë që një ngjarje e vitit 89 është mjaft e rëndësishme për zhvillimet e proceseve politike të vendit tonë. Ne e kemi kuptuar që kemi qenë pjesë e burgjeve, në burgun e Dubravës në atë kohë para fillimit të protestave të qytetarëve. Kështu që kjo rënie gjatë atyre protestave ka qenë një rënie e rëndë e dëmtimit të procesit të Lëvizjes, por në të njëjtën kohë frymëzim për brezat, gjeneratat, për ata që do të luftojnë për vendin, për atdheun, për çlirimin e Kosovës. Prandaj rënia e Afrimit dhe Fahriut është një humbje e madhe për lëvizjen por është një peshë e madhe e frymëzimit që si do të luftohet deri në flijim për atdheun. Andaj flijimi i tyre është një frymëzim, është humbje për familjen, por është një krenari për atdheun, kështu që këta janë vetë historia e luftës sonë për liri”, tha Hasani.
Tutje, Hasani tha se nga lëvizjet e atëhershme popullore, është krijuar bërthama e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Çdo herë frymëzimet dhe pjesë e Lëvizjes kanë qenë ata që kanë besuar në vazhdimësi dhe kështu që kjo ka qenë vazhdimësi e proceseve politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës, kanë qenë Lëvizjet e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, kanë qenë Lëvizjet e Rexhep Melës e Lulzim Berishës, kanë qenë arrestimet dhe torturat e burgjeve kanë qenë rënia e Afrimit dhe Fahriut, kanë qenë rëniet e viteve të 90-ta, ka qenë lufta e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ne kemi besuar në Lëvizjen në vazhdimësi deri në ditën e çlirimit të Kosovës me luftë të armatosur, sepse kemi kuptuar se procesi demokratik nuk lëviz në këtë drejtim, Serbia nuk e njeh fjalën por forcën, prandaj veç me anë të forcës lirohet dhe çlirohet Kosova. Nga ky aspekt nga Lëvizja Popullore e Kosovës, është krijuar bërthama e parë e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës që kemi qenë pjesë e tyre edhe kemi ardhur deri tek liria me Ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Hasani.
E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ndonëse ishin të rinj, kishin dëgjuar për qëndresën heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
“Ne e kemi dëgjuar nga larg për qëndresën heroike për luftimet disa orëshe të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut të cilët ishin në ballë të demonstratave antipushtuese para viteve të 90-ta dhe pikërisht qëndresa e tyre u kthye në simbol frymëzimi për edukimin patriotik të brezave të ardhshëm që pas 10 viteve do ta kthejnë në ndërmarrje të organizuar çlirimtare në emblemë të UÇK-së me luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare. Pra dy më të mirët, dy më të guximshmit, dy më trimat luftuan kundër njësive speciale të Serbisë dhe deri sa u vranë nuk i lëshuan armët nga dora”, u shpreh ai.