Hetemaj ka mundësi të luajë me Finlandën në Evropian

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Përparim Hetemaj ka mundësi të mëdha që të jetë pjesë e Finlandës në “Euro 2020”. Seleksionuesi Markku Kanerva ka lënë të hapur mundësinë e kthimit të Hetemajt.

Në fakt, ai ka thënë se të gjithë lojtarët që ishin tërhequr më parë nga Përfaqësuesja e Finlandës, i kanë dyert e hapura të kthehen në rast se tregojnë formë të mirë, ka shkruar të mërkurën sajti finlandez “hs.fi”. Përfaqësuesja e Finlandës për herë të parë në histori ka siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh të futbollit. Në “Euro 2020”, Finlanda bën pjesë në Grupin B së bashku me Belgjikën, Danimarkën dhe Rusinë, shkruan sot Koha Ditore.

“Jo vetëm Hetemaj, por të gjithë lojtarët që janë tërhequr para se të kualifikohemi në Evropian, e kanë derën e hapur për t’u kthyer. Por, fillimisht duhet të kuptoj se lojtari është i gatshëm për t’u kthyer dhe këtë ta diskutojmë së bashku. Unë po pres që lojtarët të më lajmërohen, pasi të gjithë e kanë numrin tim”, është shprehur Kanerva. “Dua që të gjithë ta dinë se ekziston mundësia e kthimit edhe pse përparësi kanë lojtarët aktualë, me të cilët e kemi siguruar kualifikimin. Por, në Evropian kam nevojë të kem një ekip të kompletuar në secilën pozitë, pasi nuk do të kënaqemi vetëm me pjesëmarrje”.

Hetemaj 32-vjeçar, në janar të vitit të shkuar vendosi të tërhiqej nga Përfaqësuesja e Finlandës, për të cilën luajti nga viti 2009 dhe shënoi katër gola në 49 ndeshje. Për një kohë, Hetemaj ka bartur edhe shiritin e kapitenit te Finlanda. Këtë edicion, mesfushori po bën karrierë në Serie B, te Benevento, për të cilën ka regjistruar 12 paraqitje deri më tash.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme