Kryetari i Komunës së Leposaviq, Lulzim Hetemi, i ka takuar të dielën policët që u aksidentuar të premten mbrëma në veri.
Ai ka shkruar në Facebook se aksidenti është ngjarje e hidhur, por iu uroi shërim të shpejtë duke u shprehur se beson që do të rikuperohen plotësisht.
Hetemi ka shkruar të dielën se do t’i mbështesë forcat e rendit dhe do të punojë ngushtë për krijimin e kushteve më të sigurta për të gjithë qytetarët e komunave veriore.
“Policët tanë janë heroikë në detyrën e tyre, dhe në çdo moment të vështirë janë në shërbim të komunitetit. Ky aksident është një ngjarje e hidhur, por jam i sigurt që ata do të rikuperohen plotësisht dhe do të vazhdojnë të mbrojnë qytetarët tanë me të njëjtin përkushtim. Uroj shërim të shpejtë dhe të plotë për gjithë të lënduarit. Kryetari Hetemi u zotua që do të vazhdojë të mbështesë forcat e rendit dhe do të punojë ngushtë me institucionet për krijimin e kushteve më të sigurta për të gjithë qytetarët e komunave të Veriut.” thuhet në njoftimin e Komunës së Leposaviqit.
Fraktura në brinjë e gjunjë dhe ndrydhje në kraharor kanë pësuar tre nga tetë policët që të premten mbrëma u aksidentuan me veturë zyrtare në fshatin Grabovc të Zveçanit.
Mjekë në Kirurgjinë Torakale, atë të Ortopedisë dhe në Kirurgjinë Maksilofaciale thanë se gjendja e tyre, pas trajtimit, është stabile.