Pas vendimit historik, drejtësia amerikane kërkon që t’i shkojë problemit deri në zanafillë. Një hetim federal është hapur lidhur me praktikat policore në qytetin Minneapolis.
Kjo erdhi pasi ish-anëtari i policisë, Derek Chauvin, u dënua për vrasjen e afroamerikanit Geogre Floyd, ngjarje e cila nxiti demonstrata anti-racizëm në të gjithë botën.
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara do të shqyrtojë nëse policia e këtij qyteti ndjek një model ose praktikë të forcës së tepruar antikushtetuese.
“Hetimi do të shqyrtojë edhe nëse Policia e Mineapolis përfshihet në sjellje diskriminuese dhe nëse trajtimi i personave me aftësi të kufizuara është i paligjshëm. Do të kemi një rishikim gjithëpërfshirës të politikave, trajnimeve, mbikëqyrjes dhe përdorimit të forcës”, deklaroi Merrick Garland, prokuror i Përgjithshëm i SHBA, shkruan a2news.
Nëse konfirmohen këto probleme serioze, Departamentit të Policisë së Mineapolis do t’i kërkohet që të ndryshojë politikat dhe praktikat për të evituar shkeljet e mundshme në të ardhmen.
Ndërkohë, dënimi i Chauvin ishte një moment i shënuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, e mbushur plot me incidente racore, dhe një kthesë e rëndësishme në trajtimin e amerikanëve me ngjyrë nga organet ligjzbatuese.
Në shumë vende të SHBA, mijëra vetë dolën në rrugë për të festuar vendimin historik të gjykatës por edhe për të nderuar George Floyd.