Hetimet për rastin Dehari po vazhdojnë, kamerat e burgut ende në Austri

Prishtinë | 01 Maj 2017 | 16:39 | Nga

Hetimet lidhur me rrethanat e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, nuk kanë përfunduar ende. Intervistimi i dy mjekëve ligjorë si dhe ekspertiza e analizave në video-incizimeve të kamerave të sigurisë, do t’i japin fund investigimit lidhur me rastin ‘Dehari’.

Prokuroria Themelore në Prizren po e shqyrton mundësinë që të dërgojë disa hetues për t’i intervistuar si dëshmitarë dy mjekët ligjorë, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, të cilët, me kërkesë të familjes, kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Deharit.

Të dy këta kanë bërë raport lidhur me rrethanat e vdekjes së Deharit.

Prokurori i këtij rasti Metush Biraj ka thënë që rezultatet e ekspertizës së kamerave të sigurisë shumë shpejt të kthehen në Kosovë nga Austria.

“…jemi në pritje të rezultateve të ekspertizës së video-incizimeve. Jemi në pritje edhe të dërgimit të hetuesve tanë që t’i intervistojnë të dy mjekët ligjor që kanë marrë pjesë në ekspertizën në rastin Dehari. Po shikojmë që të gjejmë ndonjë mënyrë që t’i intervistojmë ata si dëshmitar”, ka thënë Biraj për Gazetën Express.

Ndërkohë që familja Dehari, në mars të këtij viti ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën përmes së cilës ajo ka përzgjedhur Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.

Por kjo kërkesë e familjes ‘Dehari’ del jashtë parametrave të përcaktuar me rezolutën e Kuvendit, sepse aty përcaktohet që ekspertizën mund ta bëjë vetëm një shtet anëtar i BE’së ose SHBA’së. Por, familja Dehari është përcaktuar për Zvicrën, e cila nuk është anëtare e BE’së. Lirdhur me kërkesën e familjes do të vendos Qeveria e Kosovës.

Kjo e fundit ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

Kujtojmë se sipas kryeprokurorit të prokurorisë themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në bazë të raportit të mjekëve të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Asterit Dehari ka kryer vetëvrasje në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të këtij viti.

Ai ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në fillim të gushtit të këtij viti.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme