Planin e Qeverisë për hetim të ri për numrin e madh të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish- drejtori i zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, Gazmend Syla, po e sheh si përpjekke të kryeministrit Albin Kurti që veteranët t’i përjashtojë nga rritja e pagës minimale.
“Kurti si bartës i të gjitha pushteteve, në moment që kthetrat e tij do të prekin gjyqësorin, me siguri se do të lëshojë ndonjë dekret për hetime të reja, pasi që hetimet që u zhvilluan, u përmbyllen me pafajësinë e atyre që u akuzuan për gjoja “veteran të rrejshëm” dhe etiketime të tjera”, tha Syla për Albanian Post.
Madje Syla thotë se “në parim, Kurti dhe Vetëvendosje janë kundër secilës vlerë që e përfaqëson Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, derisa qeverinë aktuale e quan “anti amerikane”.
“Andaj nga Kurti presim që në çdo lloj forme të i luftojë kategoritë e lirisë, duke nisur nga keqtrajtimi që po ju bëhet nga zyra e Qeverisë për kategoritë e dala nga Lufta, e kushedi se çfarë marifetesh të reja do të shpik kjo qeveri e majtë”.
Sipas Sylës, secili që kërkon hetime të reja, ka agjenda kundër frymës çlirimtare të UÇK-së, kushdo qoftë ai, duke potencuar se “ne çuditemi kur dëgjojmë disa bashkëluftëtarë tonë që duartrokasin për “pastrim listash”, nga dhëndëri norvegjez, partia e të cilit hoqi nga zyrat portretet e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe që kundërshtoi intervenimin e NATO-s”.
Ai mendon që këto kategori e kanë fuqinë dhe legjitimitetin që ta përmbysin edhe Kurtin edhe pushtetin e tij neokomunist.
Bici: Jemi të varur nga vendim final i Apelit për “veteranët e rrejshëm”
Por, Aziz Bici, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe drejtori i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UCK-së, thotë se do presin vendimin final të Gjykatës së Apelit për rastin e “veteranëve të rrejshëm”.
Ai pranon se është diskutuar edhe paga minimale, teksa shton se “ne jemi të varur shumë rreth vendimit që do ta merr gjykata”.
“Nëse gjykata eventualisht nuk e kryen punën, neve na mbetet për shkak të pakënaqësive sepse ka kërkesa të shumta që t’i ndërrojnë statuset, pasi janë shumë të pakënaqur me ato punët që i ka kryer komisioni i mëhershëm.
“Ne mundemi një amendament ta ndryshojmë që komisioni mos të bëjë më gabime”, pohoi Bici.
Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati në RTK pati thënë se me shifrën prej 60 mijë veteranësh, “ne po e deformojmë historinë”.
“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë , po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari.
12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” u shpallën të pafajshëm
Më 19 janar të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Të njëjtit ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shkak se gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 31.01.2017, në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitimin pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.
Megjithatë, Gjykata e Apelit ende nuk ka marr vendim lidhur me rastin në fjalë pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë.