Hetimi i krimeve ekonomike, dyshohet për korrupsion

Prishtinë | 29 Tet 2017 | 09:17 | Nga

Mungesa e mbikëqyrjes në Policinë e Kosovës e ka bërë këtë institucion që të përfshihet në afera e skandale të mëdha, sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Miftaraj ka përmendur dështimin e menaxherëve e drejtorëve në polici të kalojnë verifikimin nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës si shenjë që ky institucion nuk është i pastër nga brenda.

Sipas tij, shqetësuese është se si Policia e Kosovës, respektivisht departamente të caktuara brenda kësaj policie, duke shfrytëzuar privilegjet dhe pushtetin që kanë tejkalojnë autorizimet e tyre ligjore, duke vënë para ligjit, interesat e grupeve të caktuara të interesit dhe politikës.

Miftaraj ka kritikuar edhe mënyrën se si ky institucion nis hetime. Sipas tij, për dikë bëhet spektakël vetëm përmes një letre anonime pa asnjë fakt të ofruar. Për Miftarajn këto raste, hetuesit e policisë, posa iniciohen hetime preliminare, të njëjtat letra dhe vendime i nxjerrin në media të caktuara me qëllim që të diskreditojnë ata që ua kanë mësyrë.

Ai ka folur edhe për numrin e madh të kallëzimeve penale që Policia e Kosovës i dorëzon në Prokurori e që hedhën poshtë si pasojë e kallëzimeve të papërgatitura mirë.

Miftaraj ka folur edhe për zyrtarët policorë që hetohen e që ndaj tyre nuk janë marrë masa.

KD: Sipas matjeve të fundit të opinionit publik imazhi i Policisë së Kosovës te qytetarët është zbehur e me këtë edhe besimi. Si e vlerësoni këtë?

Miftaraj: Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka kaluar nëpër procese të rëndësishme të shtetndërtimit. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë ishin nën mbikëqyrje dhe monitorim të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, qoftë nga EULEX-i i cili me ardhjen e tij në Kosovë, përveç që kishte kompetenca ekskluzive në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e veprave të rënda në Kosovë, mision kishte edhe monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e këtyre institucioneve, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Përveç EULEX-it, rol të rëndësishëm në monitorimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve vendore kishte edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në të cilin bënin pjesë vendet evropiane dhe SHBA-ja. Ky grup kishte, po ashtu, kompetenca ekzekutive që nënkuptonte se mund të anulonte çdo vendim të institucioneve që binte ndesh me parimet bazë të Kushtetutës, ku hynin edhe organet e sigurisë, respektivisht, Policia e Kosovës. Publikut dhe qytetarëve të Kosovës iu kujtohen lajmet dhe informatat që iu kanë shërbyer kryesisht në vitin 2012 dhe 2013, lidhur me dyshimet e paraqitura se një numër jashtëzakonisht i madh i menaxhmentit aktual të policisë kishin dështuar për të kaluar procesin e verifikimit të sigurisë, që në atë kohë ishte udhëhequr nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Një proces i tillë ka rëndësi jetike për funksionimin e Policisë së Kosovës në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë. Për më tepër, në çdo vend demokratik, një proces i tillë realizohet për të pastruar policinë nga elemente me të kaluar të dyshimtë, apo nga individë të cilët janë lehtë të cenueshëm”, ka thënë ai.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme