Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka vendosur nën hetim pasuror edhe shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Asetet pasurore dhe llogaritë bankare të shtetasit Gentian Ceka, thanë burimet do të verifikohen nga grupi i prokurorëve që kanë nën hetim prej muajit tetor dosjen “Habilaj – Tahiri”, që gjithashtu është edhe nën hetim pasuror së bashku me të afërmit e tij.
Gentian Ceka, siç rezulton deri më tani, shfaqet jo vetëm në përgjimet telefonike, por edhe lakohet nga biznesmeni Orest Sota si njeriu që kishte harruar patentat e lundrimit në mjetin ku iu gjetën 863 mijë euro.
Prokurorët nuk japin detaje se çfarë dyshimesh kanë ata përderisa e kanë përfshirë edhe Gentian Cekën në listën e të hetuarve, në një kohë që ai ka shpjeguar se patentat e ish-ministrit i kishte marrë në Durrës dhe i kishte harruar në kroskotin e makinës dy muaj më parë, raporton TCH.
Ndërkohë, për biznesmenët Sota, përveç hetimit pasuror dhe pasqyrimit të parave, Krimet e Rënda po gërmojnë edhe tenderat e fituara nga kompanitë e tyre gjatë viteve, përfshirë edhe rikonstruksionin e komisariatit të Kombinatit.
Pas përkthimit të dosjes “Habilaj” nga Ministria e Drejtësisë, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në dorë dosjen “Habilaj”, që do të thotë se së shpejti ata do të kryejnë veprime të tjera.
Nga ana tjetër, për të hedhur dritë mbi dyshimet e tyre për mbjelljen e kanabisit, gjatë javës së kaluar grupi i hetimit ka marrë në pyetje një numër të madh zyrtarësh e ish-zyrtarësh të policive lokale, të cilët kanë shpjeguar planin e masave për operacionet antidrogë gjatë vitit 2016.