Kanadaja thotë se hetuesit e saj e kanë vizituar vendin e rrëzimit të aeroplanit ukrainas afër Teheranit.
Në mesin e 176 pasagjerëve të vdekur në incident, ishin edhe 57 shtetas të Kanadasë.
Ministri kanadez i Transportit, Marc Garneau, më 15 janar, tha se hetuesve të vendit nuk u është lejuar akoma çasja në regjistruesit e fluturimeve.
Aeroplani Boeing 737-800 i Ukrainës u qëllua nga të paktën një raketë iraniane, menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit më 8 janar, shkruan REL.
Irani ka lëshuar viza për një ekip zyrtarësh kanadezë, përfshirë dy specialistë të Bordit të Sigurisë së Transportit, me shpresën se do të përcaktojnë se si dhe pse ushtria iraniane goditi aeroplanin, me sa duket gabimisht, duke vrarë të gjithë pasagjerët në bord.
Shumica e viktimave ishin shtetas iranianë dhe kanadezë, dhe një numër më i vogël ukrainasë, afganë, suedezë, britanikë dhe gjermanë.
“Ajo që na është thënë nga iranianët është se ne do të lejohemi të marrim pjesë jo vetëm në deshifrimin e kutive të zeza, por edhe analizimin e tyre”, tha Garneau.
Kutitë e zeza janë pajisje që regjistrojnë të gjitha të dhënat e një fluturimi. Ato nuk shkatërrohen edhe në raste kur aeroplanët rrezohen.
Teherani fillimisht mohoi që forcat e tij e rrëzuan aeroplanin, por ushtria e vendit, më 11 janar, pranoi se avioni ukrainas u qëllua “pa dashje” nga një raketë kundër-ajrore.
Tragjedia ndodhi derisa forcat e mbrojtjes ajrore të Iranit ishin në gatishmëri të lartë, pas një sulmi raketor balistik iranian – disa orë më parë – kundër forcave amerikane në Irak.
Incidenti me aeroplanin dhe mohimet e qeverisë, kanë zemëruar shumë iranianët, duke nxitur protesta kundër udhëheqjes së Iranit.
Presidenti, Hassan Rohani, më 15 janar, bëri thirrje për unitet kombëtar.
Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, akuzoi personelin e sigurisë iraniane për përdorimin e “forcës së paligjshme” kundër protestuesve paqësorë që ishin mbledhur në Teheran dhe qytete të tjera më 11 dhe 12 janar.
Videot, fotografitë dhe dëshmitë nga viktimat dhe dëshmitarët okularë tregojnë se forcat e sigurisë shënjestruan protestuesit me plumba gome, gaz lotsjellës dhe mjete tjera.