Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur pjesërisht si të parregullt aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 peronave tjerë, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Pejë, Selvane Bukleta.
Në aktvendimin P.nr.227/2016, të nënshkruar nga gjyqtari Sylë Lokaj, thuhet se hedhet si e parregullt aktakuza Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës, ndaj gjithë të akuzuarve për pikat e aktakuzës I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq, kanë mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.
Më 22 maj 2017, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për këtë rast. Atë ditë, gjyqtari Sylë Lokaj, kishte konfirmuar se më 11 maj të këtij viti, gjykata i kishte kthyer aktakuzën për plotësimin Prokurorisë Speciale.
“Në rast se nuk përfillet dhe nuk evitohen mangësitë e kërkuara, gjykata ka gjasë ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj 39 të pandehurve”, kishte deklaruar gjyqtari Lokaj.
Ndryshe, PSRK-ja me 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qfsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas aktakuzës zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.