Prokurorët francezë e kanë hedhur poshtë një hetim lidhur me akuzat për përdhunim ndaj regjisorit Luc Besson.
Regjisori u akuzua për sulm seksual ndaj një aktoreje në një hotel në Paris. Besson i mohoi akuzat kur ato u shfaqën verën e kaluar.
Tani, rasti është hedhur poshtë sepse prokurorët nuk mund t’i mbështesin plotësisht pohimet kundër tij.
Avokati i regjisorit të filmit “Valerian and the City of a Thousand Planets”, Thierry Marembert, e konfirmoi vendimin të hënën, duke deklaruar: “Ky vendim vjen pas një hetimi shumë të detajuar të kryer nga policia, me të cilën ai (Besson) ka bashkëpunuar plotësisht.”
Besson u akuzua gjithashtu për keqtrajtim seksual nga disa femra të tjera verën e kaluar. Ai i mohoi me forcë të gjitha akuzat në një deklaratë të lëshuar nëpërmjet avokatit të tij në atë kohë.
Katër femra të paidentifikuara biseduan me gazetën franceze Mediapart për përvojat e tyre të dyshuara me regjisorin.
Një ish-drejtuese 49-vjeçare e kastingut, deklaroi se i kishte shkruar prokurorit publik të Parisit për ta denoncuar sjelljen e tij dhe pohoi në një deklaratë se ai e kishte sulmuar atë seksualisht.
“Shumë shpesh, ai vetëm vinte dhe qëndronte prapa shpinës sime ndërkohë që unë i udhëzoja aktorët dhe më puthte në qafë. Në raste të tjera, ai më detyroi të ulem në prehër të tij”, pohoi ajo. “Shumë shpesh, Luc Besson më kërkoi para teknikut, që t’i bëja seks oral, gjë që e refuzova çdo herë.
“Sa herë që hynim në ashensor së bashku, ai më detyronte ta puthja, duke e vënë gjuhën e tij në gojën time dhe, edhe pse po e shtyja, ai më merrte në krahët e tij dhe më prekte gjoksin dhe prapanicën.”
Një tjetër akuzuese kishte pohuar se ai “kërceu” mbi të dhe u përpoq ta puthte gjatë një interviste në Paris, dhe një femër e tretë ishte një ish-punonjëse e EuropaCorp, kompani e produksionit e bashkë-themeluar nga Besson, e cila pretendonte se 59-vjeçari me forcë u përpoq ta puthte dhe i kërkoi që të kryente marrëdhënie seksuale me të.