Kur mbeten vetëm pak ditë nga starti i turneut të madh US Open, në New York u hodh shorti i edicionit të 140 të Slam-it Amerikan dhe në mungesë të shumë emrave të rëndësishëm ashtu sic edhe pritej numri 1 i botës Novak Djokovic pritet të ketë një rrugëtim tepër të thjeshtë deri në finale.
Nole e ka fituar vetëm një herë në katër vitet e fundit turneun në Flushing Meadows, megjithatë këtë radhë tenisti serb i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar, duke patur parasysh që në edicionin e sivjetshëm do të mungojë kampioni në fuqi Rafael Nadal, por gjithashtu për në qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara nuk do të udhëtojë as veterani Roger Federer, i cili e ka deklaruar si të mbyllur sezonin për shkak të operacionit në gju.
39-vjecari nga Bazeli e ka fituar plot 5 herë “Slam”-in Njujorkez, gjithsesi një gjë e tillë për herë të fundit është regjistruar plot 12 vjet më parë. Roger ka qenë vazhdimisht pjesë e gjysmëfinaleve në këtë aktivitet, ndërsa në finale veterani zviceran është thyer në vitet 2009 e 2015, respektivisht nga Juan Martin del Potro e Novak Djokovic, megjithatë përvec Federerit turneu i famshëm amerikan nuk do të ketë as numrin 2 të botës Rafel Nadal, që preferoi për të mos kaluar Atlantikun, për shkak të frikës së pandemisë së koronavirusit dhe për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për turneun e Roland Garros-it, ku “mbreti i fushave me dhe” e ka ngritur plot 12 herë Kupën e Musketierëve, duke fituar radhazi madje pavarësisht moshës edhe tre edicionet e fundit në dheun e kuq parizien. Kështu pas një vendimi të tillë organizatorët humbën një ndër protagonistët kryesorë, fituesin e turneut në Flushing Meadoës në vitet 2010, 2013, 2017 e 2019.
Pra Rafa ka fituar 2 nga 3 edicionet e fundit të Slam-it Amerikan, sidoqoftë numri 1 i botës Novak Djokovic nuk ka probleme të tilla, përkundrazi, atij i intereson thjesht të fitojë një tjetër kompeticion të madh, për të ngushtuar akoma më shumë diferencën me dyshen Federer–Nadal. 33-vjecari për shkak të formës së tij të shkëlqyer dhe freskisë fizike, pasi është më i ri se sa rivalët e tij ka fituar 5 nga 7 turnetë e fundit Slam, pa harruar gjithashtu edhe faktin që në janar në Melbourne Park Nole përmbysi disavantazhin 2-1 me sete ndaj numrit 3 të botës Dominic Thiem. Tenisti ballkanas ka triumfuar në Neë York në vitet 2011, 2015 e 2018 dhe Djokovic konsiderohet me diferencë edhe si favoriti absolut për të fituar përsëri.
Për momentin Federeri kryeson me 20, Nadali ndjek me 19, ndërsa Nole ka një rast të shkëlqyer për të koleksionuar trofeun e 18 Slam në Karrierë, gjithsesi që të ndodhë kjo tenisti nga Serbia duhet të mposhtë emra të tillë si Daniil Medvedev, Stefanos Tsitsipas dhe Dominic Thiem, që të gjithë tenistë që renditen brenda gjashtëshes së parë, të klasifikimit të përgjithshëm ATP. Për hir të së vërtetës në pjesën e sipërme të shortit Nole nga këta emra ka vetëm tenistin grek, që për momentin pozicionohet pikërisht në vendin e gjashtë në renditjen botërore dhe me 22-vjecarin helen Djokovic mund të përballet vetëm në raundin gjysmëfinal.
33-vjecari do ta fillojë aventurën e tij ndaj numrit 107 të botës, tenistit boshnjak Damir Dzumhur, ndërsa në turin e dytë tenisti serb do të masë forcat me fituesin e ciftit Kyle Edmund – Alexander Bublik, një ndeshje jo edhe aq e lehtë në letër, duke marrë në konsideratë faktin që si tenisti britanik ashtu edhe ai kazak kanë një shërbim shumë të fortë. Në raundin e tretë me shumë gjasa Nole do të përballet sërish me gjermanin Jan-Lennard Struff, të cilin ditën e mërkurë Djokovic-i e shkatëroi 6-3, 6-1 po në Neë York, në Mastersin Western and Southern Open, sepse sic dihet Turneu i Cincinnati-t këtë vit për shkak të frikës së përhapjes së Virusit COVID-19 nuk u zhvillua në Ohio, por në Qendrën Tenistike Billie Jean King, në Flushing Meadows–Corona Park, në Queens, pikërisht pra në kompleksin ku nga data 31 gusht deri më 13 shtator do të zhvillohet edhe edicioni i sivjetshëm jubilar i Slam-it Amerikan.
Në sektorin e parë një kundërshtar i mundshëm për Djokovic-in në turin e katërt pritet të jetë tenisti vendas, gjiganti nga Karolina e Veriut John Isner, që mban vendin e 21 në renditjen botërore, apo qoftë edhe spanjolli Pablo Carreno Busta, që është i 25 në klasifikimin ATP. Në fazën cerekfinale Nole mund të gjejë përballë një nga dyshja Denis Shapovalov – David Goffin, ndërsa në katërshe nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë gjysmëfinalja e pjesës së sipërme të shortit pra pritet të jetë ndaj tenistëve të tillë si Stefanos Tsitsipas dhe Alexander Zverev. Pjesa e poshtme është e hapur për të gjithë, kështuqë në këtë anë pritet një betejë e fortë ndërmjet emrave të tillë si Dominic Thiem, Karen Khachanov, Roberto Baustista Agut, Grigor Dimitrov, Andrey Rublev, Matteo Berrettini dhe numrit pesë të botës, 24-vjecarit moskovit Daniil Medvedev, që vjet e shtrëngoi Nadalin në një finale me pesë sete, që zgjati plot pesë orë lojë. Te femrat problemet janë akoma më të mëdha për organizatorët, pasi në edicionin e 134 të kësaj kategorie do të mungojnë plot 6 nga 10 tenistet më të mira të klasifikimit WTA.
Kështu përvec numrit 1 të botës australianes Ashleigh Barty do të mungojnë për shkak të frikës prej pandemisë së koronavirusit gjithashtu edhe numri 2, rumunia Simona Halep, e më pas me radhë nuk do të marrin pjesë edhe katër tenistet që pozicionohen nga numri 5 te numri 8, pra ukrainasja Elina Svitolina, tenistja kanadeze Bianca Andreescu që është kampionia në fuqi, holandezja Kiki Bertens dhe tenistja zvicerane Belinda Bencic, që vitin e kaluar shkoi derin në fazën gjysmëfinale ku u mund pikërisht nga tenistja me origjinë rumune që fitoi turneun. Numrin 1 organizatorët ia kanë dhënë cekes Karolina Pliskova që do të përballet në raundin hapës me ukrainasen Anhelina Kalinina, ndërsa në pjeën e poshtme tenistja kryesore është sportistja që triumfoi në Australi Sofia Kenin, e cila do të masë forcat me belgen Yanina Ëickmayer. 6 herë fituesja e këtij turneu dhe numri 9 i botës, 38-vjecarja Serena Williams, e cila ka humbur radhazi dy finalet e fundit do ta nisë aventurën e saj në Neë York në pjesën e poshtme të shortit me bashkëkombasen e saj Kristie Ahn, që renditet e 97 në rruzull, ndërsa fituesja e vitit 2018 22-vjecarja japoneze Naomi Osaka do të sfidojë në turin hapës tenisten tjetër nipone Misaki Doi.