Zyrtarët e lartë të Qeverisë komunale të Prizrenit kanë përsëritur qëndrimin kundër planeve për ndërtimin e mini-hidrocentraleve në Luginën e Lumëbardhit (Zhupë), pas raportimeve se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka zhbllokuar këtë proces.
Nënkryetarja për komunitete në Komunën e Prizrenit, Memnuna Ajdini, ka theksuar se autoritetet lokale kanë dëgjuar se MMPH-ja ka zhbllokuar vendimin për mini-hidrocentralet, duke aktualizuar këtë çështje, që prej muajsh kishte mbetur pezull, shkruan sot Koha Ditore.
“Mendoj se duhet t’i përmbahemi qëndrimit, të shprehur publikisht edhe nga kryetari Mytaher Haskuka në Reçanë, që vendimi për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve të shkojë në Kuvendin e Komunës për miratim dhe ai të jetë në fuqi për Prizrenin”, ka thënë Ajdini. Ajo ka pohuar se edhe institucionet e reja, që dalin nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, duhet ta trajtojnë këtë problem me urgjencë, sidomos sa i përket Komunës së Prizrenit, pasi që banorët dhe vetë institucionet lokale janë kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
“Sa i përket ndërtimit të hidrocentraleve, duhet cekur se banorët janë kategorikisht kundër. Unë si përfaqësuese e komunitetit boshnjak po ashtu jam kundër, sepse konsiderojmë se do të shkatërrohet natyra, do të rrezikohet biodiversiteti dhe kjo nuk mund të jetë dobi për Luginën e Lumëbardhit (Zhupën), ngase nga to mund të përfitojnë vetëm disa individë”, ka deklaruar Ajdini.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në fillim të këtij muaji pati njoftuar se me banorët nga rajoni i Zhupës është diskutuar për çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve, “për të cilat banorët e kësaj ane kanë shprehur shqetësim pas lajmeve rreth vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për lejim të ndërtimit”.