Hidrologu Kastrati për mundësinë e vërshimeve: Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar

Prishtinë | 27 Dhj 2021 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të dielën ka paralajmëruar se sot mund të ketë vërshime në Junik, Gjakovë dhe Deçan.

Hidrologu nga IHMK, Bashkim Kastrati, ka bërë të ditur për Klankosova.tv se janë duke e përcjellë situatën dhe se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar deri më tani.

“Mund të priten vërshime të shpejta në ato zona, sidomos në sistemin lumor të Erenikut dhe Bistricës së Deçanit, shkaku i reshjeve më intensive që janë duke vazhduar sidomos në zonat më të larta malore” u shpreh ai.

Tutje, Kastrati deklaroi se në lumenjtë kryesorë siç është Drini i Bardhë, niveli i ujit është në suaza të normales dhe se për çdo zhvillim do t’i informojnë qytetarët.

“Zona malore e Bjeshkëve të Nemuna, pra komunat Gjakovë ( pjesa perëndimore e saj), pastaj Juniku dhe Deçani, kemi thënë se do të kenë më tepër reshje dhe si pasojë rrjedhat më të vogla lumore, përroskat do të jenë më të rrëmbyeshme me mundësi edhe të shembjes së dheu, si dhe probleme gjegjësisht vështirësi në qarkullim pastaj mbyllje e sistemit të kanalizimit në ato pjesë. “

Në ndërkohë edhe nga kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, njoftuan se është rritur shkalla e gatishmërisë duke e angazhuar edhe ekipe në terren./Klankosova.tv/.

Të ngjashme