Vëllai i Gonzalo Higuainit dhe njëherësh agjenti i tij, Nicolas, ka konfirmuar se sulmuesi argjentinas do të largohet nga Juventusi dhe nuk do të vazhdojë të luajë në Itali.
Ish-sulmuesi i Napolit që ka arritur të fitojë tre tituj të ligës dhe tre të kupës gjatë kohës së tij në elitën e futbollit italian, do të largohet nga Serie A në këtë afat kalimtar, transmeton KOHA.
Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo i ka bërë të ditur 32 vjeçarit se nuk ka të ardhme te “Zonja e Vjetër”.
“E çmojmë sinqeritetin e Pirlos. Ai i ka thënë Gonzalos atë çfarë ka menduar. Nuk ndodh gjithmonë dhe ishte me rendësi. Ende po flasim për një sulmues që ka shënuar 350 gola në vitet e fundit. Për ta arritur këtë të duhen 10 vjet. Por, fatkeqësisht ne harrojmë shumë shpejt. Ne jemi në futboll dhe e dimë se këto gjëra mund të ndodhin”, ka thënë Nicola Higuain për Tuttosport.
Nicola Higuain gjithashtu ka konfirmuar se ka disa oferta për Gonzalon, derisa ka theksuar se ish-sulmuesi i River Plates kurrë s’do të bashkohet me rivalin e përbetuar, Boca Juniors.
“Ka interesim nga Franca, Anglia, Spanja, Kina dhe SHBA-ja. Shumë oferta, por asnjëra që të bën të dridhen këmbët. Do t’i shqyrtojmë me qetësi, por dy gjëra janë të sigurta; Gonzalo s’do të luajë në Itali dhe, mbi të gjitha, ai kurrë nuk do të luajë për Boca Juniorsin. Ai u rrit te River Plate dhe kurrë s’do të shkojë te një rival”, është shprehur ai.