Hileja e konstituimit të Kuvendit

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 12:45 | Nga Kadri Kryeziu

Norma e rreme se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët nuk ka asnjë bazë në Kushtetutë. Ajo u shpik në vitin 2014, kur Enver Hasani, me një interpretim arbitrar, instaloi një kushtetutë paralele.

Ky precedent i mbrapshtë, i papranueshëm për çdo jurist serioz, sot është shndërruar në normë kushtetuese nga vendimi i fundit i kësaj Gjykate Kushtetuese.

E drejta për të qenë faktor vendimtar në konstituimin e Kuvendit nuk buron nga Kushtetuta e Republikës – ajo është shpikur nga Hasani, nga shpurra mercenare e Kazanit të Prishtinës dhe nga pesë gjykatësit shqiptarë të këtij kolegji. Kjo është një super-e drejtë e falur, sepse realisht nuk i takon asnjë grupi parlamentar. Është një “Ahtisari 2.0” – një pilulë helmuese për Republikën, efektet destabilizuese të së cilës do të ndihen shumë shpejt.

Kujtoni marsin e vitit 1989. Atëherë, Kazani i Prishtinës nuk linte gur pa rrotulluar për të bindur shqiptarët se “asgjë e keqe nuk do të ndodhte” nga ndryshimet kushtetuese. Historia i ka shënuar: anëtarët e atij komisioni dhe delegatët shqiptarë që ngritën dorën për të vrarë autonominë e Kosovës sot njihen si tradhtarë e dezertorë.

Po kështu, kur kjo hile e konstituimit të Kuvendit të dalë sheshit dhe të bëhet e dukshme për të gjithë, Enver Hasani dhe pesë gjykatësit shqiptarë të këtij kolegji do të mbahen mend si pasuesit e marsit 1989. Ata mund të përpiqen të shfajësohen, por historia nuk do t’i falë – dhe as ne nuk do t’i lejojmë.

Unë nuk do të ndalem derisa kjo hile të demaskohet plotësisht. Nuk do të ndalem derisa përgjegjësia e tyre të emërtohet qartë. Sepse përndryshe, Kosova rrezikon të shndërrohet në një Republikë të kapur nga hilet dhe jo nga ligji.

Të ngjashme