Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë më komplekse sesa mund të imagjinohet, por se ndërkohë, pyetja më e madhe me të cilën përballet Serbia është ajo që ka të bëjë me Ukrainën, pra çfarë marrëdhëniet që do të ketë me Rusinë.
Hill në hapjen e Forumit Ekonomik të Beogradit ka thënë se procesi i Brukselit i ka të gjitha elementet e nevojshme, se dihet se çfarë duhet bërë.
Ambasadori amerikan ka thënë se nuk ka dyshim se serbët në Serbi janë shumë të pasionuar pas serbëve në Kosovë dhe kujtoi sulmin terrorist në Banjskë, duke bërë të qartë se kjo nuk guxon më të përsëritet.
Ai ka thënë se është e mundur të diskutohet se çfarë mund të bëjë KFOR-i për Kosovën, por njëkohësisht ka përkujtuar se Serbia më në fund duhet të kuptojë se nuk ka rrugëdalje tjetër përveç zgjidhjes politike.