Hiqni teket e inatet dhe takohuni me njëri-tjetrin

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 15:05 | Nga

Po ju drejtohem me zërin e atyre mësuesve që në vitet e vrara të Kosovës me ballin lartë mbajtën gjallë shpresën për të ardhmen dhe mbrojtën shkronjat, gjuhën dhe kulturën tonë nga furtunat e pushtuesit. Një pjesë e këtyre pishtarëve të dijes ishin mësuesit tuaj dhe prandaj e meritojnë ta dëgjoni zërin e tyre.

Liderë të nderuar e di se në sytë tuaj, mbase, unë dukem fare i vogël, por më dëgjoni me kujdes se po përcjell te ju zërin e mijëra mësuesve. Po ju drejtohem me zërin e atyre mësuesve që në vitet e vrara të Kosovës me ballin lartë mbajtën gjallë shpresën për të ardhmen dhe mbrojtën shkronjat, gjuhën dhe kulturën tonë nga furtunat e pushtuesit.

Një pjesë e këtyre pishtarëve të dijes ishin mësuesit tuaj dhe prandaj e meritojnë ta dëgjoni zërin e tyre. Ata me një zë e më një dëshirë ju drejtohen juve liderë, koalicione e subjekte shqiptare që garuat në zgjedhjet e 11 qershorit.

Rezultatet janë këto që janë dhe ky është mendimi dhe vullneti i popullit. Ky rezultat nuk ju pengon juve që të hiqni teket e inatet dhe të takoheni e të bashkëbisedoni me njëri-tjetrin si vëllai me vëllanë dhe t’ia ktheni shpresën popullit për ditë më të mira.

Duke e shikuar atë tjetrin koalicion a subjekt politik nuk guxoni të shihni armiq, po kundërshtar politik. Qasjet e angazhimit mund t’i keni ndryshe, por qe të gjithë ju po betoheni se do të punoni në shërbim të popullit dhe atdheut. Populli e atdheu po pret që këtë ta dëshmoni me punë, angazhime e vepra. Të mirë a të këqij ju jeni bijtë e të njëjtit popull dhe populli sytë i ka në ju.

Duke i lënë teket e inatet do të merreni vesh si vëllai me vëllanë e nuk do t’i faktorizoni ata që janë dorë e zgjatur e një shteti që na mbajti të okupuar e nën tortura me vite e dekada dhe që edhe tani e gjithë ditën po mundohet ta ngulfat Kosovën.

Liderë, koalicione e subjekte politike dëgjojeni zërin e mësuesve dhe takohuni me njëri-tjetrin. Takohuni e punoni për Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme