Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti, se veteranët nuk do të përfshihen në Ligjin e Pagave dhe se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës në Kosovë, ka ngjallur reagime të ashpra në vendin tonë – sidomos nga ata që njihen si ‘krahu i luftës’. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj (ish-komandant i Zonës së Dukagjinit), tha se mund t’ia marrim lirisht si kërcënim një deklaratë që e bëri në emisionin e debatit të Dukagjinit. Ai tha se ‘veteranët mund t’ia ndalojnë Kurtit të hyjë në zyre’ nëse shefi i qeverisë do të vazhdonte t’i trajtonte kësisoji. Periskopi ka biseduar edhe me ish-komandantin e UÇK-së në Koshare, zotin Hisen Berisha, tani deputet i PDK-së.
Sipas tij, kryeministri Kurti po e ringjallë temën e veteranëve, për ta tërhequr vëmendjen prej shumë çështjeve të rënda sociale që e kanë goditur Kosovën.
Berisha, i cilëson deklaratat e Kurtit si një lojë të pandershme që për qëllim ka’ shpërqendrimin e vëmendjes nga çështjet e rënda që e kanë goditur Kosovën dhe popullin e saj’
“E para, kjo duket për me tërheq vëmendjen prej çështjeve shumë të rënda në aspektin social që e kanë goditë popullin dhe Kosovën. Është një lojë shumë e pandershme që ka përzgjedh kategorinë më sensitive shoqërore, që janë veteranët, me i trajtue në këtë aspekt”.
“Këtu kemi një situatë që dosja e të gjitha aplikimeve të veteranëve dhe kategorive tjera kanë qenë dhe është ende në gjykatë dhe prokurori”, tha Berisha për Periskopin.
Ish-komandanti i UÇK-së thotë se do të jenë të njëjtit komandantë që do ta bëjnë vlerësim dhe numri [i veteranëve] – sipas tij – do të jetë po i njëjti.
Sipas Berishës, mund të ketë nevojë vetëm për një rishikim të aplikacioneve që mund të jenë të gabuara por assesi rivlerësim i statusit të veteranëve.
“E dyta Komisioni Qendror që e përbëjnë komandantët kryesorë të të gjitha zonave, përfshirë edhe shefin e shtabit, Agim Çeku, ka kaluar një proces gjyqësor disavjeçar dhe ka dalë në vendim të formës së prerë, të pafajshëm”, ka thënë Berisha në një bisedë jo aq të gjatë me Periskopin.
“Ato dosje, meqenëse kanë dalë të pafajshme, detyrimisht duhet të kthehen në sekretarinë e veteranëve dhe aty ka nevojë vetëm për rishikim të aplikacioneve për këto informacione jo të plota apo të gabuara që mund të jenë sepse nuk ka veteranë më shumë por ka aplikacione dhe informacione të gabuara. Këtë mund t’a bëjnë por të bëhet rivlerësim i statusit të veteranëve është diçka e pamundshme, ajo mund të bëhet, por prapë do ta bëjnë të njëjtit komandantë, të njëjtin vlerësim”, thotë ai.
Berisha tutje u shpreh, se kjo që po bën Kurti nuk ka kuptim, duke shtuar edhe një pyetje interesante në rast se do të formohej ky komision i paralajmëruar nga kryeministri.
“Të pretendohet që i gjithë procesi të shkojë në rivlerësim kjo është non-sens, ky kryeministër nuk di për çka po flet”.
“Këta mund ta bëjnë vetëm një auditim të tërë procesit. Tendenca për me kriju një komision shtetëror, kush është ai komision shtetëror… Cili qenka ai anëtar i komisionit shtetëror që mundet me vlerësu ushtarë që i kam pasë unë nën komandë dhe që unë e bëjë vlerësimin për ta”, u shpreh Berisha për Periskopin.
Tutej Berisha kërkoi që të zbatohej Ligji i Pagave për kategoritë e dala nga lufta.
“Më mirë për të do të ishte të mendoj me zbatu ligjin, e ka obligim, që Ligji i pagave do të duhej të dilte që dje kështu ka qenë premtimi e jo të tallet me veteranët. Edhe një nuk duhet të harrojë, veteranët nuk janë nxansa të shkollave me dal me lujt, janë kategori specifike, janë njerëz që sot janë bërë pothuajse të gjithë të 50-ta. Janë njerëz që kanë mbetë në gjendje të mjerueshme që 20 vite për shkak të trajtimit jomeritor. Nuk ki drejtë me provoku durimin e tyre e m’i nxjerr në rrugë, sepse atëherë do të jetë shumë telashe për këtë kryeministër”, tha Berisha.
Sipas deputetit të PDK-së, Kurti po mundohet t’iu japë autorësi personale të gjitha proceseve, megjithatë është duke bërë gabime që po i kushtojnë edhe tek ndërkombëtarët.
“Kjo qeveri duhet të reflektojë. Albini po mundohet me iu dhanë autorësi personale të gjitha proceseve dhe në emër të kësaj është duke bërë gabime jo vetëm brenda, por edhe në marrëveshjet ndërkombëtare që ka nënshkru Kosova. Edhe në dialog e në të gjitha tema të tjera. Është kah e sjellë Kosovën në një pozitë ku ka qenë në fillimet e para, ku nuk ka pasë kurrfarë perspektive, a në fakt e ka marrë në fund të proceseve”.
Berisha u shpreh se vendimet e mëdha për ndërtimin e shtetit të Kosovës, i kanë kryer ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë.
“Vendimet e mëdha për ndërtimin e shtetit, krijimin e institucioneve nga niveli juridik-politik e të tjera e kanë kryer ata burrat e mëdhenj që po mbrojnë sot në Hagë vlerat e lirisë të këtij shteti”, përfundoi ish-komandanti i UÇK-së, njëheri deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.
I ashpër për temën e veteranëve, në seancën e fundit të Kuvendit, ishte edhe deputeti, ish-komandant Ramush Haradinaj.
“Kurti nuk po don me i zbatu kriterin e pagës minimale edhe për kategoritë e lirisë. E unë po i them qitu para tij. I kom duru kreit shpifjet e dallaveret e tij e të tyne. Ka ndodh një proces gjyqësor, mos luaj më shumë me këto kategori. Mos u tall më me ta”, tha Haradinaj.