Hisen Berisha pritet të zëvendësojë Uran Ismailin në Kuvendin e Kosovës, pas dorëheqjes që Ismaili ka dhënë ditën e sotme.
Telegrafi ka mësuar se Berisha do të marrë mandatin e deputetit gjatë këtyre ditëve.
Berisha në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021 ka arritur të marrë 9 mijë e 168 vota.
Ndërkaq, Uran Ismaili sot përmes një konference drejtuar mediave deklaroi se jep dorëheqje nga posti i deputetit pasi që do t’i përkushtohet tërësisht Prishtinës, si kandidat për kryetar.
“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë- Prishtinës – dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim”, tha Ismaili gjatë konferencës për media.
Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërsa nesër zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore e cila do të zgjasë deri më 15 tetor.