Populli shqiptar është ndër popujt e rrallë që nuk ka mësuar nga historia.
Përgjatë historisë kemi pasur momente të shkurta e të rralla suksesi, por shumë më shpesh kemi pasur histeri gjithëkombëtare që na kanë çuar me dekada prapa.
Një moment I rrallë suksesi ishte në vitin 1999 kur e gjithë bota e civilizuar u ngrit në këmbë dhe na shpëtoi nga golgota.
Më pas ajo botë perëndimore na ndihmoi t’i ndërtojmë shtëpitë e shkatërruara, t’i hapim shkollat e djegura, dhe t’i vendosim themelet e një shteti të ri, të cilin na ndihmuan ta bëjmë.
Por siç na ka ndodhur edhe në të kaluarën në histori, na kaploi histeria gjithpopullore dhe u ngritëm kundër mu asaj bote perëndimore. I shpallim tradhtarë, armiq, e i quajnë me lloj lloj emrash që vetëm mendjet e prishura dijnë t’i qendisin.
Ata që marrin mundin të lexojnë historinë, e dijnë që këto histeri jane cytur nga forca të huaja keqdashëse, shpesh të ndihmuar nga shpirtshitur vendorë.
Tash lind pyetja se kush po e shtyn këtë histeri të këtyre ditëve. Akterët vendorë po i shohim. Një ditë do ta lexojmë në libra të historisë edhe forcën e huaj që po e shtyn këtë agjendë histerike që rrezikon ta çojë vendin me dekada prapa- sërish.