Mohamed Salah aktualisht është një nga sulmuesit më të mirë të momentit në Evropë, por për të arritur këtu ku është ka pasur shumë vështirësi dhe ka kaluar momente të vështira, që shumë kush do të dorëzohej.
Gjithçka fillon në një qytet të vogël, pothuajse fshat, me emrin Najrij, katër orë larg kryeqytetit të Egjiptit, Kajro.
Në këtë qytet me 15 qershor të vitit 1992 lindi Mohamed Salah.
Djaloshi ka një rrëfim mbresëlënës, pasi famën e tij e përdorë që të inspirojë miliona egjiptianë, por edhe të tjerë që të qëndrojnë në rrugën e duhur. Ai është mysliman dhe kjo vërehet edhe pas shënimit të golave të tij, ku lutet dhe i falënderohet krijuesit të tij, shkruan Telegrafi.
Salah fillim të karrierës:
“Për pesë ditë të javës, çdo javë për tri apo katër vite, e kam bërë të njëjtin udhëtim. Largohesha nga shtëpia në ora 9 të mëngjesit, që të arrija në qendrën stërvitore diku në ora 14:00 apo 14:30. Stërvitja fillonte në ora 15:30 apo 16:00. Stërvitja e përfundoja në ora 18:00:00 dhe në shtëpi arrija diku në ora 22:00 apo 22:30. Haja bukë, flija dhe përsëri përsëritej e njëjta rutinë”, tregon Salah për ditët e para si futbollist që në moshë të vogël, ku udhëtonte nga vendlindja për në Kajro, ku luante në klubin, El-Mokaëloon El-Arab.
Aty për katër vite luajti te ekipi i të rinjve dhe si 18 vjeçar u gradua në ekipin e parë.
Karriera:
Në ekipin e parë të El-Mokaëloon El-Arab qëndroi dy vite, ku zhvilloi mbi 30 ndeshje dhe shënoi 11 gola. Talenti i tij ra në sytë dhe Kombëtarja e Egjiptit. Ai ishte në një turne me ekipin kombëtar U-23, ku luajti ndaj skuadrës së Baselit.
I futur në pjesë e dytë ai arriti të shënojë dy herë dhe Egjipti fitoi 4-3. Klubi zviceran e ftoi për një provë një javore, pasi aftësitë e tij ishin mbresëlënëse, shkruan Telegrafi. Pas një jave, në ditëlindjen e tij të 20-të, ai nënshkroi kontratë me Baselin për katër vite.
Qëndroi vetëm një vit e gjysmë te Baseli dhe Chelsea e bleu. Londinezët kishin harxhuar mbi 10 milionë euro për të. Qëndroi vetëm gjashtë muaj në Angli, por nuk u përshtat, më shumë për faj të të tjerëve, pasi trajneri në atë kohë të Chelsea ishte Jose Mourinho.
Ai u huazua te Fiorentina, ku filloi shkëlqimi i tij i madh, pastaj edhe Roma. Kryeqytetasit italian e blenë për 20 milionë euro nga Chelsea. Karriera e Salah te Roma mori tjerr kthesë. 15 gola në 31 ndeshje dhe shumë gjigantë evropianë e dëshironin në mesin e tyre. Liverpool e bleu në qershor të vitit 2017 për 42 milionë plus bonuset që shkon në 50 milionë euro.
Karriera në Liverpool? 31 ndeshje në kampionat 29 gola. I pari në listën e realizatorëve. Po në Ligën e Kampionëve? 11 ndeshje, tetë gola. Po kthehet në legjendë. Gjithçka po ecën shkëlqyeshëm për ‘Mbretin e Egjiptit’ te Liverpooli.
Kombëtarja e Egjiptit:
Me kombëtaren e Egjiptit ka debutuar në vitin 2011. Deri tani ka të zhvilluar 57 ndeshje dhe ka shënuar 33 gola.
Së bashku me Egjiptin do të jetë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Rusi, për herë të parë që nga viti 1990.
Ai ishte ndër më të merituarit pasi kishte shënuar pesë gola, shkruan Telegrafi. Salah shënoi dy gola në ndeshjen vendimtare kundër Kongos, duke e bërë krenar një popull të tërë.
Bamirësia:
Pika më e fortë e Mohamed Salah është bamirësia. Duke ecur nëpër rrugët e qytetit të tij të lindjes, Najrijit, nuk do të mendonit se aty ka lindur një nga lojtarët më të mirë në botë. Nuk ka asnjë foto të vetme të djalit të preferuar të qytetit, qoftë në shtëpinë e tij ose në ndonjë vend tjetër.
Por, nëse foto mungon, nuk mungon kryerja e detyrës dhe e mirësisë qytetare. Nëpër fshat është e lehtë të gjesh projekte të krijuara dhe të financuara nga Salah.
Instituti Azhari për Vajzat, që po ndërtohej me një kosto prej 8 milionë funte egjiptianë (450,000 dollarë). Aty afër është edhe ambulanca e ndërtuar për qytetarët e tij nga xhepi i vet.
Salah ka një fondacion ku ndihmon familje të tëra. Ai nuk shihet aty kurrë, pasi e bën për zotin e tij. E gjithë kjo nisi kur në muajin e shenjtë të myslimanëve Ramazan, shumë familje trokitën në derën e tyre për ndihmë.
Ai i ndihmoi disa, por mendoi për fondacionin që të ndihmohen të gjithë që kanë nevojë. Sot, rreth 400 familje në këtë qytet të vogël, përfshirë gratë pa burra, jetimët dhe të sëmurët, marrin ndihmë sociale nga fondacioni i tij, transmeton Telegrafi.
Përveç kësaj fondacioni financoi disa martesa dhe ndihmon refugjatët sirianë në Gharbia, zonë ku ndodhet fshati i tij. El-Bahnasi një bashkëfshatarë i tij beson se suksesi i Salahut me Liverpoolin është si rezultat i afërsisë së tij me Allahun (Zotin) dhe angazhimin e tij humanitar.
“Lutjet e miliona egjiptianëve e ndihmojnë atë çdo ditë”, thotë El-Bahnasi.
Numri 74 në fanellë me Fiorentinën dhe mosdhënia e dorës lojtarëve izraelit. Kur Salah kishte kaluar te Fiorentina ai kishte zgjedhur fanellën me numrin 74. Kjo për të nderuar 74 viktimat që humbën jetën në Port Said Stadium në ndeshjen Al-Masry – Al-Ahly me 1 shkurt të vitit 2012.
Sa ishe pjesë e Baselit në një ndeshje ndaj Maccabi Tel Aviv të zhvilluar në Izrael ai refuzoi t’iu flas për dore lojtarëve të këtij klubi. Arsyeja e tij ishte trajtimi i palestinezëve në këtë shtet, ndërsa ai u fishkëllye gjatë gjithë ndeshjes, por iu shënoi një gol dhe i eliminoi.
Mohammed Salah është martuar me gruan e tij Maggi në vitin 2013. Ata kanë një vajzë që ka lindur në vitin 2014. Ai është martuar në Kajro, por muajin e mjaltit e ka kaluar në vendlindjen e tij.
Salah ec i vetëm në fshat kur shkon në pushim dhe troket në dyert e fqinjëve për t’i përshëndetur, sidomos gjatë festave. Ai gjithashtu nuk i harron traditat familjare dhe i viziton gjatë festës së Bajramit të afërmit dhe fqinjët.
Sulmuesi i Liverpool Mohamed Salah është edhe një herë fytyra e fushatës kombëtare kundër drogës në Egjiptit. 1 milion egjiptian e ‘votuan’ për president Salah mund të konsiderohet si fituesi moral i zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, pasi ka marrë 1 milionë vota ose e thënë ndryshe 5% javën e shkuar.
Shumë zgjedhës kanë vendosur të shpërfillin plotësisht dy kandidatët e vërtetë në garë për postin e Presidentit të Egjiptit duke shtuar një tjetër preferencë në fletën e votimit, atë të yllin të tyre të futbollit.
Fushata për t’i larguar fëmijët egjiptianë nga droga dhe kontrata me telefonin mobile që përfitojnë vendasit e tij. Fushata “You Are Stronger Than Drugs” është nisur nga Fondi për Kontrollin e Drogës dhe Trajtimin e Varësisë (FDCTA), lidhur me Ministrinë e Solidaritetit Social të Egjiptit.
Salah është protagonist i njërës prej reklamave të fushatës, pasi ai beson në rëndësinë e luftës kundër varësisë së drogës midis të rinjve egjiptianë.
Në reklamë, një i ri është i rrethuar nga një grup shokësh, duke përfshirë disa që janë të varur nga droga, duke shikuar ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës midis Egjiptit dhe Kongos, transmeton Telegrafi.
“Bëhuni të varur nga suksesi, mos u bëni të varur nga ajo që ju ka tërhequr prapa. Ju jeni më të fortë se dorëzimi, mos lejoni (drogat) t’ju mposhtin. Ju jeni më të fortë se droga. Ju definitivisht nuk do të lejoni që t’ju mposhtin, “thotë Salah.
Pas kësaj kampanje dhe fjalëve të Salah, mediat e Egjiptit raportojnë se tani linja telefonike për rehabilitim ka pasur një rritje prej 400% të thirrjeve.
Ai po ashtu ka një marrëveshje me Voldafon Egjipt dhe pas çdo goli të tij abonentët fitojnë 11 minuta flas, as sa është numri i tij në fanellë te Liveprool.
Këtë vit ata kanë fituar mjaftueshëm, pasi Salah nuk i ka ndalur golat.