Gjykata e Qarkut Bülach ka dënuar një burrë 47-vjeçar për hedhjen në erë të një bankomati, delikt që ai e kishte kryer në Dietlikon në gusht të vitit 2021.
Kosovari është dënuar me burg për 5 vjet e 4 muaj, transmeton albinfo.ch. Pas dënimit me burg, ai do të dëbohet nga Zvicra për 14 vjet.
Gjykata e ka konsideruar si të provuar se 47-vjeçari ishte i përfshirë në shpërthimin e ATM-së më 31 gusht 2021 në një qendër tregtare në Dietlikon, është shprehur kryetari i trupit gjykues të martën, kur është marrë vendimi. Nuk dihet se kush ishte bashkëpunëtori i tij në atë rast. Megjithatë, një person i dytë është parë në pamjet e kamerave të vëzhgimit.
Më 31 gusht 2021, autorët hynë në një garazh pranë bankomatit në Dietlikon për të vjedhur një aparat saldimi, shkruan sda.ch. Ata kanë drejtuar gazrat në drejtim të pajisjes në bankomat dhe kështu kanë shkaktuar shpërthimin e përzierjes.
Dëme të mëdha materiale, por pa plaçkë
Ndonëse ky veprim i tyre ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm pronësie që arrinte në rreth 70 mijë franga, ata nuk mundën të depërtonin tek “kaseta” ku mbahen paratë, në bazën e bankomatit. Kështu, autorët janë larguar pa marrë asgjë, transmeton albinfo.ch. Hetuesit kanë gjetur gjurmët e ADN-së së të dyshuarit në kapakët e vidhave të bombolave të gazit të sistemit të saldimit.
Personi është shpallur fajtor edhe për krime të tjera, për të cilat akuzohej, si shkelje të Ligjit për Narkotikët dhe Ligjit për Armët.
Gjithashtu, ai mësohet se ka fshehur nga autoritetet e migracionit në lidhje me lejen e tij të qëndrimit faktin se ishte dënuar me disa vjet burg në Shqipëri për trafik droge.
Ai është liruar nga disa akuza relativisht të vogla. Për shembull, gjykata nuk e konsideroi të provuar se ai kishte rritur kërpin (bima bazë për prodhimin e drogës) në një objekt të brendshëm.
Përafërsisht një vit e gjysmë sa ka kaluar ai në burg, para gjykimit, do të llogariten në dënim. Duke qenë se i dënuari ka disa dënime të mëparshme dhe më parë është dashur të largohet nga vendi, tani atij i është shqiptuar masa e dëbimit për 14 vjet. Ndërsa maksimumi do të ishte 15 vjet.
Avokati kërkoi lirim, sepse i akuzuari vuan nga një sëmundje e rëndë
Prokuroria publike ka kërkuar dënim me burg prej gjashtë vjet e pesë muaj dhe dëbim prej 14 vjetësh.
Në fillim të seancës gjyqësore, i akuzuari tha se është i pafajshëm. Pas kësaj ai nuk u është përgjigjur më pyetjeve. Avokati i tij ka kërkuar lirim. Provat në dispozicion nuk janë të mjaftueshme për një dënim, sipas tij.
Përveç kësaj, avokati kërkoi që kosovari të mos dëbohet nga Zvicra edhe nëse dënohet. Fatkeqësisht, ai ka një sëmundje të rëndë dhe për këtë arsye ka nevojë për trajtime dhe mjekime të rregullta. Një trajtim i tillë nuk mund të garantohet në Kosovë.
Vendimi nuk është ende i plotfusqishëm, përcjell albinfo.ch. Mund të apelohet në Gjykatën Supreme (Kantonale) të Cyrihut.
Në Zvicër, vitet e fundit janë regjistruar shumë prishje të ATM-ve (bankomateve) dhe tentativa për t’u thyer. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Policisë (Fedpol), vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 56 sulme ndaj bankomateve.