Nga jashtë duket si një kullë e kohërave të lashta, e punuar me gurë dhe që bart një histori të tërë me vete. Është djegur plotë tri herë dhe ka rezistuar ndër vite.
Edhe pse kjo kullë që shohim ne sot, është rindërtuar në vitin 2010, pasi herën e fundit është djegur në vitin 1924, gjatë rezistencës së fundit të Azem dhe Shote Galicës.
Kjo kullë ishte ndërtuar si dhuratë për Azem Galicën, nga bashkëfshatarët. Madje e veçanta e saj, është se e kanë ndërtuar për një muaj.
Kati i parë ka qenë më gurë, ndërsa kati I dytë me tjegulla, vetëm që të përfundojë sa më shpejtë, thotë historiani Izet Miftari.
“Azemi në vazhdimësi ka vendos që në asnjë rrethanë të mos dorëzohet. Prandaj, në këtë situatë, më bashkëluftëtarët e vet të kohës, formon një zonë, që në histori njihet si zona neutrale e Drenicës, apo më mirë Arbria e vogël. Bërthama e kësaj zone, ka qenë pikërisht fshati Galicë.’’
Në sulmet fundit të vitit 1924, Azemi është plagosur, dhe pas plagëve të marra, ai është detyruar të largohet nga vendlindja. Fjalët e tij të fundit kanë qenë dy amanete që i ka lënë bashkëluftëtarëve të tij, tregon Miftari.
“Kjo kullë është rrënuar, është shkatërruar, si rrjedhojë e sulmit të rëndë serb, të vitit 1924, kur pushteti vendos ta shkatërroj zonën e lirë neutrale, dhe në këtë rast Azemi me shokët e vet vendos të rezistoj, mirëpo përball forcave të mëdha ishte e pamundur të rezistohej”.
Në çdo sfidë që ka pasur, përkrah gjithmonë e ka pasur gruan e tij, shoqen dhe bashkëluftëtaren e tij, Shote Galicën.
E madje një detaj që shumë prej nesh s’e kemi ditur, është që Shota ka pasur emër tjetër, mirëpo ky emër i është vendosur nga babai i saj, nga dashuria dhe përkëdhelja, pasi ka pasur vetëm një vajzë, sipas Miftarit.
“Ka shumë raste, kur Shota dhe Azmi ja kanë shpëtuar jetën njëri – tjetrit. Shota ishte e vetmja motër e familjes, dhe emri i vërtet i saj ka qenë Qerime Radisheva, por meqenëse ishte e vetmja motër nga dashuria dhe përkëdhelja, i është vendosur emri Shotë’’.
Kjo kullë, vazhdon të qëndroj dhe të ruaj gjithë historinë e Azemit dhe Shotës. E në muret e kullës, qëndrojnë fotografitë e çiftit luftëtar.