Keqmenaxhimi, jokoherenca me zhvillimet teknologjike, punësimi i njerëzve joprofesionistë, bënë që Telekomi i Kosovës, një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend të futet në krizë dhe në prag të falimentimit, thonë ekspertë të fushës.
Telekomi i Kosovës tani e sa kohë gjendet në krizë të thellë financiare pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë eurove.
Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë shumë faktorë që çuan në krizë këtë kompani.
“Në rend të parë është ajo që nuk po e shohim e që vepron pa u ndalur, ndryshimi i madh i teknologjisë. Në 10 – 15 vitet e fundit teknologjia ka ndryshuar, ku tani nuk ka nevojë as për telefoni mobile, sepse mundësitë që ofron qasja në internet janë të paimagjinueshme. Këtë trend dramatik të zhvillimit nuk e përcolli Telekomi i Kosovës. Kjo është në aspektin teknologjik ku Telekomi i Kosovës nuk është gjendur”, thotë Dida.
Një faktorë tjetër që ndikoi që Telekomi i Kosovës të hyjë në krizë, shton Dida, është punësimi enorm dhe i pa kriter i njerëzve në këtë kompani të cilët siç thotë Dida, nuk kanë ide kreative dhe nuk janë në koherencë me zhvillimet teknologjike.
Sipas tij, një menaxhement që nuk përcjell trendet teknologjike nuk ka gjasa të mbijetojë.
Në Telekomin e Kosovës, sipas të dhenve zyrtare janë të punësuar rreth 2.300 punëtorë.
Ndërkohë, autoritetet në Kosovë pas gjendjes së krijuar në Telekom kanë filluar që të ndërmarrin masa për të shmangur falimentimin e kompanisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe kryeshefi i Telekomit Gent Begolli, në një konferencë për media kanë bërë të ditur se kanë hartuar një plan që të krijohet një stabilitet financiar për kompaninë.
Ministri Lluka thotë se po punojnë që Telekomit t’i kthehet imazhi pozitiv.
“Jemi në diskutim e sipër të inkuadrojmë Bankën Botërore e cila ka shprehur interesim së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si asistencë teknike për të bërë ristrukturimin dhe sidomos pjesën e ristrukturimit të pikave të shitjes, gradimin e punëtorëve që të kemi një gradim korrekt të secilit punëtorë dhe të mos kemi demotivim të punëtorëve, ku dikush është në gardë më të lartë, pa meritë, pa eksperiencë dhe pa shkollim adekuat”, thotë Lluka.
Kryeshefi i sapo zgjedhur i Telekomit, Gent Begolli, thotë të ketë gjetur kompaninë në një gjende të rëndë financiare, por që do të bëjnë përpjekje që kompania të rimëkëmbet.
“Telekomi i Kosovës është në krizë të madhe, këtë e kemi trashëguar nga menaxhementi i kaluar me shumë borxhe me shumë kontrata që nuk besoj se janë të mira dhe me një numër të madh të punëtorëve ku nuk dihet saktë përshkrimi i vendeve të punës. Në një rast të caktuar kemi punëtor në shitje me gradën pesë dhe një punëtor të shitjes më gradën nëntë”, thotë Begolli.
Kriza financiare në Telekomin e Kosovës ka prekur edhe Postën e Kosovës ku punëtorët e kësaj të fundit nuk janë duke marrë pagat me rregull për shkak se Telekomi i Kosovës ka pasur vështirësi t’i bëjë pagesat e qirasë me kohë Postës.
Posta e Kosovës të hyrat kryesore i ka nga qiraja që i merr nga Telekomi.
Ndryshe, Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, mirëpo në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themelua si Ndërmarrje Publike Qendrore.